Vetëm 26 subjekte të transportit publik kanë aplikuar deri më 9 korrik për të përfituar nga skema e kompensimit të kostove të rritura të karburantit, ndërsa fondi i vënë në dispozicion arrin në 250 milionë lekë.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, skema mbulon operatorët e transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, të cilët janë përballur me kosto më të larta si pasojë e rritjes së çmimit të naftës.
Procesi i aplikimit nisi më 1 qershor 2026 dhe do të qëndrojë i hapur deri më 1 gusht. Deri në datën 9 korrik, pra pas më shumë se një muaji nga hapja e skemës, numri i aplikimeve kishte arritur në 26.
Operatorët e transportit kanë edhe rreth tri javë kohë për të paraqitur kërkesën dhe dokumentacionin e nevojshëm për përfitimin e mbështetjes financiare.
Fondi prej 250 milionë lekësh synon të zbusë ndikimin e çmimeve të larta të karburanteve në aktivitetin e kompanive të transportit publik. Masa synon gjithashtu të frenojë transferimin e plotë të kostove te qytetarët, përmes rritjes së çmimeve të biletave.
Skema përfshin subjektet që ushtrojnë aktivitet në linjat urbane, rrethqytetëse dhe ndërqytetëse, ndërsa aplikimet kryhen pranë administratës tatimore. Numri i ulët i kërkesave të paraqitura deri tani mund të lidhet me plotësimin e kritereve dhe dokumentacionit, por edhe me faktin se një pjesë e operatorëve mund t’i dorëzojnë aplikimet në ditët e fundit të afatit. /ekofin.al

