Shoqëritë e listuara në tregjet e kapitalit do të duhet të marrin miratim paraprak për transaksionet me palë të lidhura, kur vlera e tyre tejkalon 1.5% të totalit të aseteve.
Sipas klauzolave të parashikuara nga projektligjin për ndryshimet e ligjit nr. 9901, pragu prej 1.5% do të zbatohet si për një transaksion të vetëm, ashtu edhe për disa transaksione me të njëjtën palë gjatë të njëjtit vit financiar. Përllogaritja do të bëhet mbi bazën e pasqyrave të fundit financiare të miratuara.
Nëse një shoqëri e listuar ka aktive prej 1 miliard lekësh, për shembull, transaksionet me të njëjtën palë të lidhur që tejkalojnë 15 milionë lekë gjatë vitit financiar do të arrijnë pragun që kërkon miratim paraprak, nëse plotësohen kushtet e tjera ligjore.
Miratimi do të jepet nga këshilli i administrimit, këshilli mbikëqyrës ose një komitet i posaçëm. Personat e përfshirë në transaksion apo që kanë konflikt interesi nuk do të mund të marrin pjesë në votim.
Brenda 72 orëve nga miratimi, shoqëria duhet të njoftojë asamblenë e përgjithshme, duke paraqitur kushtet e marrëveshjes dhe natyrën e interesit të personave të përfshirë.
Asambleja do të ketë të drejtë t’i kërkojë gjykatës shpalljen e pavlefshmërisë së transaksionit brenda gjashtë muajve nga njoftimi, nëse miratimi është dhënë në shkelje të rëndë të ligjit apo statutit.
Dispozitat ligjore parashikojnë gjitashtu detyrimin që transaksionet përkatëse të publikohen menjëherë në faqen zyrtare të shoqërisë. Informacioni duhet të përfshijë emrat e palëve të lidhura, natyrën e marrëdhënies, datën dhe vlerën e transaksionit dhe të mbetet publik për të paktën pesë vjet.
Ligji ekzistues parashikon tashmë deklarimin dhe miratimin e transaksioneve të caktuara në kushtet e konfliktit të interesit. Ndryshimet e reja vendosin një prag financiar të posaçëm dhe kërkesa shtesë për miratimin dhe publikimin në shoqëritë e listuara.
Projektligji parashikon edhe përjashtime, ndër të cilat transaksionet e zakonshme tregtare, të kryera në kushte normale të tregut, si dhe disa marrëdhënie brenda grupit të shoqërive.
Rregullat synojnë që marrëveshjet ndërmjet kompanive dhe personave që kanë lidhje me drejtuesit ose aksionarët e tyre të jenë më të kontrollueshme, veçanërisht kur mund të preken interesat e aksionarëve të tjerë./ekofin.al
