Kompania “Elliott” është një nga firmat më të vjetra të investimeve multistrategjike në menaxhim të vazhdueshëm, që administron rreth 76.1 miliardë dollarë asete (qershor 2025). E njohur për analizë të thelluar dhe burime të fuqishme, ajo ndjek kompani për vite përpara investimit dhe konsiderohet investitori më aktiv, me angazhime në industri dhe tregje të ndryshme globalisht.
Çfarë po ndodh
Të martën, Elliott i dërgoi një prezantim dhe një letër bordit të PepsiCo, duke detajuar mundësitë që kompania të rifillojë rritjen dhe të përmirësojë performancën përmes fokusit më të madh, operacioneve më efikase, riinvestimeve strategjike dhe përgjegjshmërisë së shtuar.
Prapaskenat
PepsiCo është një nga kompanitë më të mëdha të mallrave të paketuara të konsumit në botë, me marka ikonike në ushqim dhe pije. Ajo është numri një globalisht në “ushqimin e porcioneve të vogla” dhe numri dy në pije, pas Coca-Cola-s.
Të ardhurat ndahen në Amerikën e Veriut (60%) dhe Ndërkombëtare (40%). Në Amerikën e Veriut, PepsiCo Foods (PFNA) dhe PepsiCo Beverages (PBNA) përbëjnë secila rreth 30% të të ardhurave. Frito-Lay North America është lider në snacks dhe kontribuues i qëndrueshëm në rritje, ndërsa PBNA zotëron marka ikonike si Pepsi, Mountain Dew dhe Gatorade. Por pavarësisht madhësisë dhe forcës së markës, aksionet e Pepsi kanë humbur gati 40 miliardë dollarë kapitalizim tregu në tre vitet e fundit, duke performuar më dobët se indeksi S&P Consumer Staples për 169 pikë përqindje gjatë 20 viteve.
Gabimet strategjike në biznesin e Amerikës së Veriut janë thelbi i kësaj nënperformance: Në vitin 2010, ndërsa Coca-Cola bëri franchise shishet, Pepsi i mbajti vertikalisht të integruar. Ky vendim i kushtueshëm uli ndjeshëm marzhet operative të PBNA.
Përgjigja ndaj rënies së konsumit të pijes së gazuar çoi në zhvendosje te kategoritë më “të shëndetshme”, por ndërkohë tregu i pijeve u stabilizua. PBNA nuk ka riinvestuar mjaftueshëm te pijet kryesore, duke vonuar lançimin e Pepsi Zero Sugar dhe duke nënfinancuar marka si Mountain Dew, ndërsa është zgjeruar te marka më të dobëta si Starry, Rockstar dhe SodaStream. Si rezultat, PBNA ka 70% më shumë SKU se Coca-Cola, por 15% më pak shitje me pakicë.
Në të njëjtën kohë, Pepsi ka rritur ndjeshëm shpenzimet kapitale në PFNA (nga 3.3 miliardë $ në 2018 në 5.3 miliardë $ në 2024), edhe pse shitjet e FLNA ranë 0.5%. Marzhet operative në PFNA ranë nga 30% në 25%.
Kjo ka bërë që tregjet të injorojnë biznesin ndërkombëtar të Pepsi, i cili po rritet shpejt dhe me marzhe në zgjerim. Aktualisht, Pepsi tregtohet me një raport P/E prej 18x, më poshtë se mesatarja 10-vjeçare prej 22x dhe me një zbritje të konsiderueshme krahasuar me pragun.
Plani i Elliott
Elliott, që ka shpallur një pozicion prej 4 miliardë dollarësh në PepsiCo, propozon rifranchizimin e rrjetit të ambalazhimit – duke rikthyer modelin që solli rezultate më të mira përpara vitit 2010; Optimizimin e portofolit – ulje të numrit të SKU-ve dhe shitjen e markave të dobëta, duke ndjekur shembullin e shitjes së Rockstar te Celsius; Riinvestim te pijet bazë (Pepsi, Mountain Dew, Gatorade) dhe zgjerim vetëm në kategori me potencial si proteina dhe probiotikët. Po kështu synon ndalimin e strategjisë së rritjes agresive, rregullimin e kostove, fokus te produktet bazë Frito-Lay dhe mosinvestimi i aseteve jostrategjike, si “Quaker”.
Këto masa, sipas Elliott, mund të sjellin të paktën 50% rritje të vlerës së aksioneve.
Nëse plani zbatohet me sukses, Elliott beson se do të rikthejë fokusin te rritja, do të rrisë efikasitetin operacional dhe do të përmirësojë ndjeshëm historinë e investimit të PepsiCo./Përshtati nga CNBC, ekofin.al
