Kompania ajrore amerikane Southwest Airlines së shpejti do t’u kërkojë udhëtarëve që nuk përshtaten brenda mbështetëseve të krahëve të ulëses së tyre të paguajnë paraprakisht për një vend shtesë, si pjesë e një sërë ndryshimesh që kompania po bën.
Rregulli i ri hyn në fuqi më 27 janar, në të njëjtën ditë kur Southwest nis aplikimin e ulëseve të caktuara – një ndryshim i madh nga politika e mëparshme që u lejonte pasagjerëve të zgjidhnin vetë vendin gjatë hipjes në avion.
Aktualisht, pasagjerët mbi peshë mund të paguajnë paraprakisht për një vend shtesë me mundësinë e rimbursimit më vonë, ose të kërkojnë një vend shtesë falas në aeroport. Sipas politikës së re të kompanisë, rimbursimi mbetet i mundur, por nuk është më i garantuar.
Në një deklaratë të hënën, Southwest tha se po përditëson disa nga politikat e saj ndërsa përgatitet për aplikimin e ulëseve të caktuara vitin e ardhshëm.
“Për të siguruar hapësirën, ne po komunikojmë me [klientët] që kanë përdorur më parë politikën e vendit shtesë, që ata duhet ta blejnë atë gjatë rezervimit,” thuhej në deklaratë.
Southwest largohet nga identiteti i saj i vjetër
Ky është ndryshimi më i fundit në Southwest, e cila për shumë kohë ka qenë e njohur për faktin se lejonte pasagjerët të zgjidhnin vetë vendin pas hipjes në avion, si dhe për politikat e çantave falas, një praktikë që përfundoi në maj. Këto përfitime e dallonin kompaninë me kosto të ulët nga rivalët e saj.
Southwest thotë se do të vazhdojë të kthejë paratë për biletën e dytë në rastin e vendit shtesë vetëm nëse fluturimi nuk është plotësisht i rezervuar në momentin e nisjes, dhe nëse të dyja biletat janë blerë në të njëjtën klasë. Pasagjeri duhet gjithashtu të kërkojë rimbursimin brenda 90 ditëve nga fluturimi.
Nëse një pasagjer që ka nevojë për vend shtesë nuk e blen paraprakisht, do të detyrohet ta blejë atë në aeroport, sipas politikës së re. Në rast se fluturimi është i tejmbushur, pasagjeri do të ricaktohet në një fluturim tjetër.
Presioni mbi linjat me kosto të ulët në Europë
Lëvizja e Southwest vjen në një kohë kur linjat ajrore me kosto të ulët në mbarë botën po rishikojnë – ose në disa raste po detyrohen të rishikojnë – modelet e tyre të biznesit.
Në Evropë, rregullatorët janë fokusuar te transparenca dhe të drejtat e pasagjerëve. Në qershor, BE miratoi një propozim që u jep pasagjerëve të drejtën të marrin falas një send personal dhe një çantë kabine deri në 7 kilogramë. Matteo Ricci, nënkryetar i Komitetit të Transportit dhe Turizmit të BE-së dhe sponsori kryesor i projektligjit, e quajti ndryshimin një hap drejt një “sistemi më të drejtë dhe më efikas”.
Kjo masë është pjesë e një nisme më të gjerë të Brukselit për ta bërë fluturimin më pak konfuz, nga detyrimi i linjave ajrore për të treguar koston totale të udhëtimit që në fazën e parë të rezervimit, deri te forcimi i rregullave për kompensim.
Por analistët paralajmërojnë se këto mbrojtje të reja mund t’i shtyjnë kompanitë ajrore të rrisin çmimet në mënyra të tjera, ndërsa kërkojnë burime të reja të ardhurash./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
