Komisioni Evropian, në Raportin e Progresit 2025 për Shqipërinë, vlerëson se vendi nuk është ende i gatshëm për zbatimin e plotë të programit IPARD III, instrumentit kryesor të Bashkimit Europian për zhvillimin rural dhe mbështetjen e bujqësisë në vendet kandidate. Sipas raportit, mungesa e kapaciteteve administrative, dobësitë në mbikëqyrje dhe zbatimi i ngadaltë i standardeve të BE-së në menaxhimin financiar kanë penguar zhbllokimin e fondeve.
Në kapitullin mbi bujqësinë dhe zhvillimin rural, Komisioni thekson se Shqipëria ka arritur “vetëm një nivel të pjesshëm përgatitjeje” dhe nuk ka bërë përparim gjatë periudhës raportuese në përmbushjen e kritereve për të marrë në administrim fondet IPARD III.
“Është e nevojshme të rritet kapaciteti dhe mbikëqyrja për të nisur dorëzimin dhe zbatimin efikas të IPARD III, në përputhje të plotë me parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar,” – thuhet në raportin e Komisionit Evropian .
BE kërkon që autoritetet shqiptare të përmbushin parakushtet për besimin e menaxhimit të buxhetit (entrustment), një mekanizëm që lejon vendet kandidate të administrojnë drejtpërdrejt fondet e para-anëtarësimit për zhvillimin rural.
Aktualisht, sipas Komisionit, struktura e akreditimit dhe mbikëqyrjes nuk garanton ende zbatim të plotë të standardeve të kontrollit financiar.
Një ndër pikat që BE e vlerëson si më kritike është menaxhimi i rrezikut të korrupsionit dhe raportimi i parregullsive në organet përgjegjëse për administrimin e programit IPARD.
Komisioni kujton se këto struktura janë të detyruara të parandalojnë, zbulojnë dhe raportojnë çdo rast abuzimi me fondet, në përputhje me rregullat e menaxhimit të fondeve të BE-së.
“Në lidhje me luftën kundër korrupsionit, organet përgjegjëse për zbatimin e programit IPARD janë të detyruara të parandalojnë, të zbulojnë dhe të raportojnë parregullsitë,” – thekson raporti.
Në këtë kontekst, Komisioni kërkon forcim të kapaciteteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit, rishikim të procedurave të kontrollit të brendshëm dhe koordinim më të ngushtë me organet e drejtësisë dhe strukturat e auditimit.
Në pjesën që lidhet me politikat e zhvillimit rural, Komisioni thekson se nuk është bërë përparim në përafrimin e legjislacionit për politikat e cilësisë me acquis-in e BE-së, që përcakton standardet për produktet bujqësore dhe ushqimore me origjinë të mbrojtur, tregues gjeografikë apo produkte tradicionale. Kjo vonesë, sipas raportit, e pengon Shqipërinë të përfitojë plotësisht nga fondet e BE-së për bujqësinë dhe përfshirjen e prodhuesve vendas në zinxhirët e tregjeve evropiane.
“Gjatë periudhës së raportimit nuk është bërë përparim në përputhjen e legjislacionit mbi politikën e cilësisë me acquis-in e BE-së,” – nënvizon Komisioni.
Për të mundësuar disbursimin e fondeve IPARD III, Komisioni Evropian kërkon nga Shqipëria që në periudhën në vijim të forcojë kapacitetet administrative dhe teknike të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR); të garantojë ndarjen e qartë të funksioneve të menaxhimit, kontrollit dhe auditimit; të rrisë transparencën në përzgjedhjen e projekteve dhe publikimin e përfituesve; të zbatojë në praktikë parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar dhe të raportojë në kohë çdo parregullsi; si edhe të përfundojë përafrimin e legjislacionit të cilësisë me standardet evropiane për produktet bujqësore dhe ushqimore.
Zhbllokimi i IPARD III, që parashikon dhjetëra milionë euro për fermerët, agropërpunuesit dhe zhvillimin e zonave rurale, mbetet një provë e rëndësishme e besueshmërisë institucionale të Shqipërisë në menaxhimin e fondeve të BE-së. Raporti i Komisionit përcakton qartë se efikasiteti, integriteti dhe transparenca e këtyre institucioneve do të jenë vendimtare për hapin e ardhshëm në rrugën e integrimit evropian. /ekofin.al

