Komisioni Evropian dyshon se të rritur mund të paraqiten si përdorues të rinj në Snapchat dhe t’i kontaktojnë fëmijët për t’i përfshirë në aktivitete të paligjshme ose për t’i shfrytëzuar seksualisht.
Komisioni Evropian ka nisur një hetim për të përcaktuar nëse Snapchat ka ekspozuar të miturit ndaj “grooming”-ut dhe rekrutimit kriminal, duke shkelur potencialisht rregullat e BE-së për sigurinë digjitale.
Snapchat është një platformë sociale ku përdoruesit ndajnë foto dhe video që zakonisht zhduken pasi shihen. Rreth 94.5 milionë europianë kishin një llogari Snapchat në vitin 2025, sipas raportit më të fundit të transparencës së kompanisë.
Komisioni deklaroi se dyshon që platforma mund të lejojë të rritur të maskohen si të rinj dhe më pas të kontaktojnë fëmijët për t’i përfshirë në aktivitete të paligjshme ose për t’i shfrytëzuar seksualisht.
“Nga grooming-u dhe ekspozimi ndaj produkteve të paligjshme, deri te cilësimet e llogarive që dëmtojnë sigurinë e të miturve, Snapchat duket se ka anashkaluar faktin që Akti për Shërbimet Digjitale kërkon standarde të larta sigurie për të gjithë përdoruesit,” deklaroi Henna Virkkunen, nënkryetare ekzekutive për sovranitetin teknologjik, sigurinë dhe demokracinë.
“Me këtë hetim, do të shqyrtojmë nga afër përputhshmërinë e tyre me legjislacionin tonë,” shtoi ajo.
Hetimi do të zhvillohet në kuadër të Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA), pas një rishikimi të vlerësimeve të riskut të platformës për periudhën 2023–2025 dhe informacionit shtesë të marrë tetorin e kaluar lidhur me verifikimin e moshës dhe aktivitetet e paligjshme.
Njoftimi i Komisionit shënon nisjen e procedurave formale, të cilat mund të çojnë në masa të mëtejshme zbatimi në një fazë të mëvonshme. Snapchat mund të propozojë gjithashtu ndryshime në politikat dhe praktikat e tij si përgjigje ndaj hetimit.
Një zëdhënës i Snapchat deklaroi se “siguria dhe mirëqenia e të gjithë përdoruesve është prioritet kryesor” dhe se kompania ka punuar prej vitesh për të rritur standardet e sigurisë. Sipas tij, platforma është ndërtuar për të mundësuar komunikim mes miqve dhe familjes në një mjedis të besueshëm, ku privatësia dhe siguria janë të integruara që në fillim.
Kompania shtoi se ka “bashkëpunuar plotësisht” me Komisionin dhe do të vijojë ta bëjë këtë gjatë hetimit.
Hetimi do të fokusohet në pesë fusha kryesore: verifikimin e moshës, grooming-un dhe rekrutimin e të miturve për aktivitete kriminale, cilësimet e papërshtatshme të llogarive, përhapjen e informacionit për shitjen e produkteve të ndaluara dhe mekanizmat për raportimin e përmbajtjes së paligjshme.
Kjo përfshin edhe shqyrtimin nëse përdoruesit mund të blejnë produkte të paligjshme si droga, cigare elektronike apo alkool përmes platformës, për shkak të moderimit të pamjaftueshëm të përmbajtjes.
Komisioni dyshon gjithashtu se mekanizmat për raportimin e përmbajtjes së paligjshme nuk janë të lehtë për t’u përdorur dhe se përdoruesit nuk informohen si duhet për mënyrën e paraqitjes së ankesave.
Po ashtu, sugjerohet se Snapchat mund të përdorë “dark patterns”, teknika dizajni mashtruese që ndikojnë përdoruesit të marrin vendime që ndryshe nuk do t’i merrnin.
Për krijimin e një llogarie, Snapchat mbështetet në deklarimin e vetë përdoruesve nëse janë mbi 13 vjeç, gjë që Komisioni e konsideron të pamjaftueshme për të mbrojtur fëmijët nga aksesi në platformë.
Megjithëse kompania ofron llogari të posaçme për adoleshentët 13–17 vjeç me shtresa shtesë mbrojtjeje, si privatësia e llogarisë si parazgjedhje, Komisioni argumenton se ky mekanizëm nuk garanton që përvoja e përshtatshme sipas moshës të zbatohet gjithmonë.
Sipas Komisionit, cilësimet e paracaktuara të llogarive nuk ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme për privatësinë dhe sigurinë e të miturve, ndërsa përdoruesit shpesh nuk marrin udhëzime të qarta për menaxhimin e këtyre cilësimeve./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
