Komisioni Evropian vendosi të premten një gjobë prej 2.95 miliardë euro ndaj Google për abuzim me pozitën dominuese në industrinë e teknologjisë së reklamimit. Vendimi vjen mes tensioneve serioze tregtare me administratën amerikane mbi rregullimin e sektorit të teknologjisë.
Autoriteti europian i konkurrencës e ndëshkoi gjigantin amerikan të teknologjisë për favorizimin e vetvetes përmes mjetit të shkëmbimit të reklamave “AdX”, ndërkohë që dominon tregun me serverin e reklamave për botuesit dhe mjetet e tij të blerjes së reklamave.
“Google tani duhet të paraqesë një zgjidhje serioze për të adresuar konfliktet e interesit, dhe nëse dështon ta bëjë këtë, ne nuk do të hezitojmë të vendosim masa të forta,” tha në një deklaratë Komisionerja e Konkurrencës së BE-së, Teresa Ribera, duke shtuar: “Tregjet digjitale ekzistojnë për t’u shërbyer njerëzve dhe duhet të mbështeten mbi besim dhe drejtësi.”
Google ka 60 ditë kohë për t’i dhënë fund praktikave të konsideruara si antikonkurruese. Komisioni hapi procedurat formale për sjelljen e Google në sektorin e teknologjisë së reklamimit online në qershor 2021.
Lee-Anne Mulholland, nënkryetare e kompanisë, tha në një deklaratë se gjoba ishte “e pajustifikuar” dhe se ndryshimet e kërkuara “do të dëmtojnë mijëra biznese europiane, duke ua bërë më të vështirë atyre të gjenerojnë fitime.”
Kompania njoftoi të premten se do të apelojë vendimin e Komisionit. Vendimi vjen në një kohë kur tensionet me administratën amerikane janë të larta, pasi presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi së fundmi BE-në me tarifa nëse do të synonte sërish gjigantët amerikanë të teknologjisë.
Tensionet tregtare
MLex raportoi më herët këtë javë se Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maroš Šefčovič, kishte shtyrë publikimin e vendimit për Google Ad Tech për të shmangur zemërimin e presidentit amerikan.
Një burim i njohur me çështjen konfirmoi për Euronews se gjoba ishte shtyrë me iniciativën e Bjoern Seibert, shefit të fuqishëm të kabinetit të Presidentes së Komisionit Ursula von der Leyen.
Në rastin konkret, gjoba e vendosur ndaj gjigantit amerikan të teknologjisë është e konsiderueshme.
“Liria e vërtetë do të thotë një terren loje i barabartë, ku të gjithë konkurrojnë në kushte të njëjta dhe qytetarët kanë të drejtën e vërtetë për të zgjedhur,” tha komisionerja e BE-së.
Vendimi rrezikon të përkeqësojë më tej marrëdhëniet BE-SHBA, pikërisht në një moment kur të dyja palët kanë përfunduar një marrëveshje të diskutueshme tregtare pas javësh negociatash të lodhshme.
Marrëveshja parashikon tarifa prej 15% për importet e BE-së në tregun amerikan, në këmbim të hapjes së gjerë të tregut europian për produktet amerikane me tarifa 0%. Por zbatimi i saj nuk ka përfunduar, pasi administrata amerikane ende nuk ka ulur tarifat prej 27.5% mbi makinat europiane në 15%, siç ishte premtuar.
Përjashtimet nga marrëveshja gjithashtu janë ende në negociata dhe ajo duhet të kalojë në sitën e shqyrtimit nga eurodeputetët dhe shtetet anëtare të BE-së.
Të mërkurën, eurodeputetët e denoncuan marrëveshjen tregtare si të paekuilibruar, ndërsa Komisioni u mbrojt duke përsëritur se kishte pak zgjedhje përballë një administrate amerikane të vendosur të zbatonte një politikë të re tarifash agresive./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
