Me ndryshimet më të fundit të propozuara në Kodin Penal parashikohen disa nga dënimet më të forta ligjore për të luftuar krimet që lidhen me manipulimin gjenetik dhe përdorimin e teknologjisë biologjike për qëllime të ndaluara.
Me avancimin e teknologjisë, draftkodi synon të përballet me sfidat që lidhen me klonimin njerëzor, përzgjedhjen racore, manipulimet e ADN-së, dhe përdorimin e shkencës për krijimin e armëve të rrezikshme biologjike.
Dënime për manipulimin e gjeneve njerëzore
Më konkretisht, neni 789 parashikon se manipulimi i gjeneve njerëzore me qëllime të tjera nga ato terapeutike, si eliminimi ose pakësimi i defekteve ose sëmundjeve të rënda, dënohet me burgim nga 2 deri në 7 vjet. Edhe në rastin kur ky manipulim kryhet nga pakujdesia e vetëdijshme, parashikohet ndëshkim penal jo më shumë se një e dyta e dënimit të parashikuar për kryerjen e veprës me dashje.
Klonimi
Zbatimi i praktikave eugjenike me qëllim krijimin tërësisht apo pjesërisht, të humanëve të dallueshëm nga grupet natyrale kombëtare, etnike, racore ose fetare, që synojnë organizimin e përzgjedhjes së personave, apo krijimi i qenieve njerëzore identike me anë të klonimit ose procedurave të tjera që synojnë përzgjedhjen e racës, ose lindjen e një fëmije gjenetikisht identik me një tjetër person të gjallë ose të vdekur, dënohet me burgim nga 5 deri në 12 vjet.
Sanksione për fekondimin jashtë qëllimeve riprodhuese
Neni 791 ndalon kategorikisht fekondimin e vezëve njerëzore për qëllime të tjera përveç riprodhimit. Një veprim i tillë konsiderohet vepër penale dhe dënohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet.
Në mënyrë të veçantë, Përdorimi i inxhinierisë gjenetike për prodhimin e armëve biologjike ose shfarosëse të qenies njerëzore, dënohet me burgim nga 10 deri në 16 vjet.
Rrethana rënduese dhe dënime për persona juridikë
Ligji parashikon gjithashtu rrethana të cilësuara, sipas të cilave nëse veprat e mësipërme kryhen nga organizatë kriminale apo me qëllim përfitimi ekonomik, dënimi shtohet përkatësisht deri në një të dytën apo një të tretën e tij. Po ashtu, aplikohen dënime plotësuese, përfshirë konfiskimin e pasurive, si edhe pezullimin ose mbylljen e veprimtarisë së kompanive.
Sipas Nenit 794, kur veprat penale kryhen nga persona juridikë, gjobat mund të arrijnë deri në pesëfishin e përfitimeve të paligjshme, ndërsa për veprat më të rënda gjykata mund të vendosë pezullim të aktivitetit deri në pesë vjet dhe mbyllje të ambienteve të punës./ekofin.al
