Tregtia online në Shqipëri vijon të zgjerohet me ritme të shpejta, por auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulon se pas rritjes fshihet një treg ende i brishtë, informal dhe i pambështetur nga politikat institucionale.
Pavarësisht potencialit ekonomik dhe interesit të konsumatorëve, niveli i përfshirjes së bizneseve mbetet ndër më të ulëtit në rajon dhe shumë larg standardeve të Bashkimit Evropian. Sipas Balkan Barometer 2024, vetëm një përqindje shumë e vogël e bizneseve shqiptare realizojnë më shumë se 5% të shitjeve të tyre online, duke e renditur Shqipërinë në vendin e fundit në rajon për performancë në e-commerce.
Auditimi i KLSH-së nënvizon se periudha 2021–2023 ka kaluar pa një strategji ndërsektoriale për tregtinë elektronike dhe pa plane të veprimit për institucionet përgjegjëse, duke sjellë mungesë koordinimi, fokus të paqartë dhe mbrojtje të pamjaftueshme të konsumatorëve.
Po ashtu, mungesa e një platforme funksionale për Zgjidhjen Alternative dhe Online të Mosmarrëveshjeve (ZAM/ZOM) ka lënë konsumatorët pa një mekanizëm të qartë e të aksesueshëm për dëmshpërblim dhe zgjidhje konfliktet, duke krijuar një boshllëk të rëndësishëm në harmonizimin e legjislacionit me BE-në. Në të njëjtën linjë, vonesa në miratimin e Planit të Veprimit sektorial nga Doganat ka cenuar mbikëqyrjen e tregtisë ndërkufitare, ndërkohë që reforma në shërbimet postare, e domosdoshme për përputhshmëri me standardet e BE-së, mbetet e papërditësuar.
Rritja e volumit të dërgesave tregon qartë ekspansionin e tregtisë elektronike: numri i dërgesave të përpunuara në vitin 2024 është rritur me rreth 78% krahasuar me vitin 2020. Por ndërkohë që tregu rritet, kapacitetet institucionale kanë mbetur pothuajse të pandryshuara.
Në Degën Doganore Rinas stafi nuk ka pasur ndryshime thelbësore që prej vitit 2006, pavarësisht se numri i deklaratave të thjeshtuara ka arritur rreth 30 mijë në vit dhe fluksi i fluturimeve ajrore është rritur mbi pesëfish. Dega Doganore Tiranë nuk ka pajisje për skanim individual të pakove, ndryshe nga Posta Shqiptare dhe Rinas, duke kufizuar vlerësimin e saktë të përmbajtjes së dërgesave dhe dobësuar analizën e riskut. Auditimi identifikoi edhe problematika të shumta në mbikëqyrjen e pakove, ku shpesh ka mospërputhje mes deklarimit dhe përmbajtjes, mallra që nuk mund të deklarohen në mënyrë të thjeshtuar, apo raste kur produktet e supozuara “për përdorim personal” qartësisht janë të destinuara për tregtim.
Proceset doganore mbeten pjesërisht të automatizuara, për shkak të mungesës së një moduli funksional për deklarimin para mbërritjes dhe për shkak të mungesës së manualeve specifike për menaxhimin e riskut. Sistemi aktual me deklaratë përmbledhëse nuk lejon vlerësim të automatizuar të riskut, ndërsa rekomandimet e strukturave antikorrupsion për ndarjen e deklaratave të thjeshtuara në Bis të veçantë nuk janë zbatuar. Kjo situatë e dobëson transparencën, zgjat kohën e përpunimit dhe rrit pasigurinë për konsumatorët dhe bizneset.
Auditimi evidentoi gjithashtu se në Shqipëri mungon një kod specifik për klasifikimin e shërbimeve të ofruara online në nomenklaturën e veprimtarive ekonomike. Në fund të vitit 2024 janë të regjistruar vetëm 594 subjekte që ushtrojnë aktivitet në tregtinë online, nga 134,936 tatimpagues gjithsej, ndërkohë që shumë prej operatorëve që përdorin domain .al apo platforma të tjera nuk identifikohen dot lehtësisht. Mungesa e këtij kodi e bën të pamundur caktimin e kritereve të riskut dhe planifikimin efektiv të kontrolleve. Kjo përplaset me faktin se shumë faqe online nuk publikojnë të dhëna mbi regjistrimin tatimor, duke e bërë të vështirë monitorimin fiskal.
Pavarësisht rritjes së vazhdueshme të tregtisë elektronike, institucionet nuk kanë zhvilluar fushata sensibilizuese për konsumatorët dhe shitësit, as nuk kanë shfrytëzuar hapësirat informuese në faqet e tyre zyrtare. Kjo mungesë informimi ka dobësuar besimin publik dhe ka rritur riskun e praktikave të pasakta tregtare. Në përfundim, raporti i KLSH-së ngre shqetësimin se tregtia online, një sektor kyç për ekonominë digjitale, po zhvillohet më shpejt sesa po përshtaten institucionet. /ekofin.al
