Një auditim i ndërmarrë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve (AKUK) nxjerr në pah se shumica e ujësjellësve nuk kanë fare laboratorë për të kryer analiza për cilësinë e ujit që u dërgojnë në shtëpi qytetarëve. Gjithashtu, nga auditimet rezulton se një pjesë e depove të ujit në terren, sidomos ato të para viteve 200, janë në kushte jo të mira, me rrethime të papërshtatshme dhe me mungesë të monitorimit, duke rrezikuar seriozisht sigurinë e furnizimit më ujë të banorëve të atyre zonave.
“Nga auditimi në terren i depove të ujit dhe garancisë që ato japin në cilësinë dhe ruajtjen e tij u konstatua se objektet që janë investuar pas vitit 2000 kanë përmirësuar masat mbrojtëse, përfshirë rrethime të përshtatshme dhe sisteme sigurie të avancuara. Megjithatë, shumë objekte të vjetra, sidomos ato që datojnë para viteve 2000, kanë rrethime të papërshtatshme dhe mungesë të sistemeve të monitorimit me kamera. Kjo e bën të vështirë kontrollin dhe mbrojtjen e këtyre burimeve, përveç faktit që janë të pa mbrojtura nga roje të armatosura, gjë që është një kërkesë e ligjit për objektet që janë në rrezik të lartë,” theksohet në raportin e KLSH.
Sa i përket mungesës së laboratorëve për analizat e ujit, KLSH shkruan se “nga auditimi i laboratorëve për analizimin e ujit të pijshëm, nga 14 shoqëri ujësjellësish, 6 shoqëri (Berat, Elbasan, Korçë, Lushnjë, Pogradec dhe Sarandë) kanë ambiente për laborator, ndërsa 8 shoqëritë e tjera nuk kanë ambiente të përshtatshme për ndërtimin e laboratorëve ose e thënë ndryshe nuk ka laboratorë, çka sjell mos kryerjen e analizave të ujit të pijshëm dhe mos garantimin e sigurisë tek qytetarët.
Kështu, ujësjellësit që nuk kanë fare laborator janë ato të Beratit, Gjirokastrës, Kukësit dhe Lezhës, ndërsa ato që kanë laboratorë por jo sipas standardeve janë Dibër, Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Lushnjë, Pogradec, Sarandë, Shkodër dhe Vlorë. Sipas KLSH, asnjë nga laboratorët nuk është i akredituar, përveç atij të Tiranës. KLSH konstaton se asnjë nga laboratorët në të gjithë vendin nuk mund t‘u sigurojë ose nuk u siguron fare qytetarëve rezultate të besueshme në lidhje me testet e kryera, duke përdorur pajisje efikase dhe të kalibruara periodikisht, pra, asnjë shoqëri ujësjellësi nuk garanton cilësinë e ujit sipas kushteve laboratorike që janë aktualisht. Akreditimi duhet të kryhet sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit.
Gjithashtu, në auditim, KLSH ka gjetur edhe një sërë shkeljesh të procedurave të tenderave, ose të kontratave të akorduara, të cilat kanë sjellë dëm ekonomik. Për këto shkelje, është rekomanduar marrja e masave ndaj personave përgjegjës, si edhe rikuperimi i dëmit. /ekofin.al










