Bashkia Durrës e mbylli vitin 2024 me rreth 1.86 miliardë lekë detyrime të papaguara nga taksat dhe tarifat vendore, ndërsa borxhi i akumuluar u rrit me 140.9 milionë lekë krahasuar me një vit më parë. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) konstaton se, përveç rritjes së vazhdueshme të detyrimeve, administrata vendore nuk ka ndjekur plotësisht procedurat ligjore për arkëtimin e tyre, ndërsa sistemi elektronik paraqet pasaktësi që vështirësojnë përcaktimin e gjendjes reale të borxhit.
Nga raporti përfundimtar i auditimit të KLSH-së, që mbulon veprimtarinë e bashkisë gjatë viteve 2023–2024, detyrimet e papaguara arritën në 1,859,326,997 lekë në fund të vitit 2024, nga 1,718,399,005 lekë në fund të vitit 2023. Kjo përfaqëson një rritje prej 8.2% brenda një viti.
Nga shuma e përgjithshme e raportuar për vitin 2024, bizneset e mëdha kishin 964.6 milionë lekë detyrime të papaguara, ndërsa bizneset e vogla 894.8 milionë lekë. Borxhi i bizneseve të mëdha ishte rritur me 94.5 milionë lekë kundrejt vitit 2023, ndërsa ai i bizneseve të vogla me 46.4 milionë lekë.
Për të kuptuar peshën financiare të detyrimeve, mjafton krahasimi me të ardhurat vjetore të bashkisë. Gjatë vitit 2024, të ardhurat e realizuara nga burimet e veta ishin rreth 2.3 miliardë lekë. Kjo do të thotë se stoku i borxhit të raportuar në fund të vitit përfaqësonte afro 81% të të ardhurave të mbledhura gjatë gjithë vitit.
Masat për mbledhjen e borxhit nuk u ndoqën deri në fund
KLSH evidenton se, ndonëse Bashkia Durrës kishte ndërmarrë masa për njoftimin e debitorëve dhe bllokimin e llogarive bankare, nuk kishte zbatuar të gjitha procedurat e parashikuara nga legjislacioni për mbledhjen me forcë të detyrimeve.
Sipas të dhënave të administruara nga audituesit, në vitin 2023 ishin dërguar 11,087 njoftime për pagesë dhe ishin vendosur 2,852 masa bllokimi bankar. Për vitin 2024 raportohen 12,943 njoftime dhe po aq masa bllokimi bankar, ndërsa nuk rezultonin masa të tjera të dokumentuara në tabelën përkatëse për ekzekutimin e detyrimeve nga llogaritë apo vendosjen e barrës së sigurisë në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Auditimi konstaton gjithashtu se, për institucionet shtetërore të identifikuara si debitore, ishte ndjekur vetëm procedura e njoftimit për pagesë, pa vijuar me hapa të tjerë për arkëtimin e detyrimeve.
Edhe në rastet e subjekteve që kishin detyrime të konsiderueshme prej disa vitesh, administrata nuk kishte zbatuar të gjitha masat ligjore, përfshirë referimin për ndjekje penale kur plotësoheshin kushtet e parashikuara nga legjislacioni.
Pasaktësi në sistem, diferencë prej rreth 92 milionë lekësh
Një problematikë tjetër lidhet me besueshmërinë e të dhënave për borxhin tatimor.
KLSH ka konstatuar se sistemi elektronik i bashkisë nuk mundësonte gjenerimin e një liste të saktë të detyrimeve sipas datës së kërkuar. Për pasojë, të dhënat përfshinin edhe kamatëvonesa dhe rivlerësime të kryera pas periudhës raportuese.
Për të njëjtën datë referimi, 31 dhjetor 2024, në auditim paraqiten dy shifra të ndryshme: 1.86 miliardë lekë sipas evidencës së Sektorit të Borxhit dhe 1.95 miliardë lekë sipas një informacioni të përcjellë nga Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore më 11 prill 2025.
Diferenca mes dy vlerave arrin në 91,991,748 lekë.
Për shkak të këtyre pasaktësive, grupi i auditimit shprehet se nuk mund të japë një vlerësim të saktë për gjendjen e përgjithshme të detyrimeve dhe menaxhimin e tyre.
Kjo do të thotë se, krahas vështirësive për arkëtimin e borxhit, Bashkia Durrës ka pasur edhe probleme në evidentimin dhe raportimin e tij.
Bashkia kundërshtoi gjetjet, KLSH nuk pranoi argumentet
Në përgjigjen e saj ndaj projektraportit, Bashkia Durrës deklaroi se kishte ndërmarrë masa administrative dhe ligjore për uljen e detyrimeve të prapambetura.
Institucioni paraqiti veprime të kryera gjatë viteve 2025 dhe 2026, përfshirë bllokime bankare, procedura ekzekutimi dhe masa sigurie ndaj subjekteve debitore.
Por KLSH vlerësoi se këto masa i përkisnin periudhës pas viteve 2023–2024, që ishin objekt i auditimit, dhe nuk ndryshonin konstatimet për mangësitë e evidentuara.
Në përfundim, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka rekomanduar Bashkisë Durrës të rakordojë dhe saktësojë detyrimet tatimore, të korrigjojë problemet e sistemit informatik dhe të ndjekë të gjitha procedurat administrative e ligjore për arkëtimin e borxhit./ekofin.al
