Kina ka njoftuar zbulimin e depozitës më të madhe të arit të gjetur në vend që nga viti 1949, me rreth 1,444 tonë rezerva në provincën Liaoning. Zbulimi, i përfunduar vetëm në 15 muaj, vjen teksa çmimet e arit kanë arritur nivele rekord.
Ministria e Burimeve Natyrore e Kinës konfirmoi të premten zbulimin e depozitës Dadonggou. Kjo është depozita më e madhe e vetme e arit e raportuar në vend që nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949. Zyrtarët thonë se vendburimi përmban rreth 2.586 milionë tonë mineral me një përqendrim mesatar prej 0.56 gramë për ton, që përkthehet në rreth 1,444 tonë ar. Me çmimet aktuale, kjo sasi ari vlen mbi 166 miliardë euro.
Ari ka arritur nivele rekord këtë vit, duke u tregtuar me më shumë se 115,000 euro për kilogram. Projekti u realizua nga grupi shtetëror Liaoning Geological and Mining Group, i cili angazhoi gati 1,000 teknikë dhe punonjës dhe e përfundoi eksplorimin për vetëm 15 muaj — një periudhë jashtëzakonisht e shkurtër për një vendburim të këtij përmasa.
Ministria e ka përshkruar zbulimin si “ultra të madh”, por me përqendrim të ulët, dhe ka njoftuar se depozita ka kaluar tashmë vlerësimin fillestar të fizibilitetit ekonomik. Megjithatë, autoritetet nuk kanë zbuluar vendndodhjen e saktë të sitit, përveç konfirmimit se ndodhet në pjesën lindore të provincës Liaoning — duke nxitur spekulime për arsyet strategjike të këtij diskrecioni.
Ari, një aset i sigurt në kohë të trazuara
Zbulimi vjen në një periudhë ku kërkesa për ar po rritet me shpejtësi. Çmimet janë rritur me më shumë se 50% këtë vit, të nxitura nga një dollar më i dobët, tensionet gjeopolitike dhe blerjet e shtuara të bankave qendrore — veçanërisht në ekonomitë në zhvillim që kërkojnë të diversifikojnë rezervat e tyre.
Kina ka përshpejtuar përpjekjet e saj për eksplorimin mineral gjatë viteve të fundit. Në vitin 2024, zyrtarët raportuan zbulimin e një depozite me më shumë se 1,000 tonë në provincën Hunan dhe një tjetër me mbi 40 tonë në Gansu në tetor. Vendi prodhoi 377.24 tonë ar në vitin 2024, një rritje prej 0.56% krahasuar me një vit më parë. Konsumi vendas arriti në 985.31 tonë, me kërkesën për shufra dhe monedha që u rrit më shumë se 24% nga viti në vit.
Analistët thonë se tendenca pasqyron interesin në rritje të klasës së mesme kineze për të mbrojtur pasurinë në kushtet e pasigurisë ekonomike globale — duke e bërë arin një aset gjithnjë e më të kërkuar dhe një strehë të sigurt në mbarë vendin./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
