Rregullatori i tregut të Kinës ka deklaruar se prodhuesi amerikan i çipeve kompjuterike Nvidia ka shkelur ligjet kineze kundër monopolit. Institucioni rregullator nuk dha detaje se si Nvidia kishte shkelur rregullat, por tha se do të vazhdonte hetimin për këtë çështje.
Ndërkohë, Nvidia tha se ishte në përputhje me ligjin “në çdo aspekt” dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë me “të gjitha agjencitë qeveritare përkatëse”.
Lajmi erdhi ndërkohë që zyrtarë amerikanë dhe kinezë zhvillonin ditën e dytë të bisedimeve tregtare në Spanjë të hënën, në përpjekjen më të fundit për t’i dhënë fund luftës tregtare mes dy ekonomive më të mëdha të botës.
Pas bisedimeve, presidenti amerikan Donald Trump la të kuptohej se ishte arritur një marrëveshje me Kinën për të shmangur një ndalim të TikTok në SHBA. Aplikacioni i mediave sociale përballej me ndalim në Amerikë nëse nuk gjente një blerës amerikan.
Bisedimet tregtare SHBA–Kinë në Spanjë u drejtuan nga sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, dhe zv.kryeministri kinez He Lifeng. Pas bisedimeve, z. Bessent tha: “Patëm diskutime shumë të mira. Preferuam të përqendroheshim te diskutimet mbi TikTok; do të mbajmë sërish negociata tregtare përreth një muaji, në një vend tjetër.”
Delegacionet tregtare në nivel të lartë nga Pekini dhe Uashingtoni ishin takuar për herë të fundit në korrik, kur arritën një marrëveshje për të zgjatur armëpushimin tarifor edhe me 90 ditë, deri më 10 nëntor. Armëpushimi tarifor mes Kinës dhe SHBA-së uli taksat e importit që kishin arritur mbi 100% për mallrat e njëri-tjetrit.
Kina nisi një hetim ndaj Nvidia në dhjetor të vitit të kaluar, i cili u pa si hakmarrja e radhës në betejën mes SHBA-së dhe Kinës për tregun e çipeve gjysmëpërçues. SHBA kishte shtrënguar kufizimet mbi shitjen e disa eksporteve për kompanitë kineze, përfshirë edhe gjysmëpërçuesit më të avancuar. Bisedimet në Madrid pritej të trajtonin çështjen e çipeve që do të lejoheshin të futeshin në Kinë, përfshirë ato të prodhuara nga Nvidia.
Në një deklaratë, Nvidia tha: “Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me të gjitha agjencitë qeveritare përkatëse, ndërsa ato vlerësojnë ndikimin e kontrolleve të eksportit mbi konkurrencën në tregjet komerciale.”
Pas thirrjeve fillestare për ndalimin e TikTok gjatë mandatit të tij të parë, Trump ka ndryshuar qëndrim, duke shtyrë tre herë afatin e ndalimit. Në platformën e tij sociale Truth Social, Trump shkroi se ishte arritur një marrëveshje “për një kompani të caktuar që të rinjtë në vendin tonë donin shumë ta shpëtonin. Ata do të jenë shumë të lumtur! Unë do të flas me Presidentin Xi të premten. Marrëdhënia mbetet shumë e fortë!!!”
Kishte pritshmëri që afati, i cili skadonte të mërkurën, të shtyhej për herë të katërt. Megjithëse Trump kishte qenë shumë kritik ndaj TikTok gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, ai e zbuti qëndrimin pasi fitoi popullaritet në këtë aplikacion gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.
Në gusht, Shtëpia e Bardhë hapi llogarinë e saj zyrtare në TikTok. Ky aplikacion është një nga platformat më të përdorura të mediave sociale në botë, me rreth 170 milionë përdorues vetëm në SHBA./Përshtati nga BBC, ekofin.al
