Pas disa ditësh pa arritur të finalizojë shitje energjie në treg, KESH sh.a. ka realizuar sot transaksionin e parë të shitjes së energjisë elektrike për vitin 2026. Shitja vjen në një moment të ndjeshëm për sistemin energjetik, kur për shkak të prurjeve të larta hidrike janë hapur portat e hidrocentraleve në Kaskadën e Drinit, për të shmangur rrezikun ndaj digave.
Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të procedurës së shitjes për periudhën 10–11 janar 2026, KESH arriti të shesë gjithsej 18,944 MWh energji elektrike, me një çmim mesatar prej 57.64 euro/MWh. Kjo shënon një zhvillim të rëndësishëm, duke qenë se është kontraktimi i parë i energjisë për vitin 2026, pas një periudhe ku kushtet e tregut dhe mbingarkesa hidrike e kishin vështirësuar realizimin e shitjeve.
Procedura u zhvillua në katër lote të ndara. Në Lotin 1, KESH kontraktoi 7,584 MWh, me çmime që varionin nga 44.50 euro/MWh deri në 80.05 euro/MWh, ndërsa çmimi i ponderuar rezultoi 73.39 euro/MWh. Loti 2 përfshiu 5,280 MWh, me një interval çmimesh nga 22.10 euro/MWh deri në 73.95 euro/MWh dhe një çmim të ponderuar prej 38.69 euro/MWh.
Në Lotin 3, u kontraktuan 4,000 MWh, me çmime nga 25.00 euro/MWh në 79.83 euro/MWh dhe çmim të ponderuar 56.86 euro/MWh. Ndërkohë, Loti 4 përfshiu 2,080 MWh, me çmim minimal 20.00 euro/MWh, maksimal 79.00 euro/MWh dhe çmim të ponderuar 49.81 euro/MWh.
Shitja e sotme vlerësohet si një hap i rëndësishëm për menaxhimin e situatës hidrike dhe optimizimin e të ardhurave, në një periudhë kur prodhimi vendas është i lartë dhe ruajtja e sigurisë së digave ka qenë prioritet absolut. Për KESH, ky transaksion shënon jo vetëm hyrjen zyrtare në kontraktimet për vitin 2026, por edhe një sinjal se tregu po ofron hapësira për absorbimin e energjisë, pavarësisht presioneve të momentit. /ekofin.al
