Nga Bardhi Sejdarasi
Ndonjëherë numrat të befasojnë dhe të bëjnë të analizosj faktorët që qëndrojnë pas tyre! Kohët e fundit kam parë të dhënat e Bankës së Shqipërisë për depozituesit dhe depozitat e tyre. Çuditërisht 1.9 milionë shqiptarë kanë kursyer 16 miliardë euro! Megjithatë, vetëm 34% e PBB-së së Shqipërisë është huazuar, me kredi konsumatore rreth 700 milionë euro. Veçanërisht, mikrofinancat, jetike në zonat rurale, përbëjnë mbi 500 milionë euro kredi.
Bankat u kanë dhënë hua bizneseve dhe qytetarëve rreth 7.4 miliardë euro. Pavarësisht rritjes prej 2.2 miliardë eurosh gjatë pesë viteve të fundit, Shqipëria mbetet ekonomia më pak e kredituar në rajon, me kredi në vetëm 34% të PBB-së. Kjo shifër ka rënë nga 36.6% një vit më parë, shumë prapa fqinjëve si Maqedonia e Veriut me 55.7% dhe Kosova me 52.4%.
Pse normat e ulëta të huadhënies?
Banka e Shqipërisë raporton një ngadalësim të ndjeshëm të rritjes së kredisë, e ndikuar nga rritja e normave të interesit dhe forcimi i lekut. Për më tepër, bankat preferojnë investime me rrezik të ulët si obligacionet e qeverisë, të cilat përbëjnë rreth 37% të aktiveve të tyre, në vend që të japin kredi për sektorët me rrezik të lartë.
Pavarësisht rritjes prej 12% në totalin e kredisë vitin e kaluar, kredia e biznesit privat u rrit vetëm me 8%. Qeveria shqiptare ka diskutuar planet për të nxitur kreditimin, veçanërisht për sektorë si bujqësia, të cilët konsiderohen me rrezik të lartë. Megjithatë, institucionet mikrofinanciare, të cilat përbëjnë vetëm 6% të portofolit të kredisë, janë vendimtare në këta sektorë, veçanërisht në bujqësi, ku zënë 85% të financimit. Vendin e parë të volumeve të disbursimit e zënë bizneset të të gjitha llojeve (51% të totalit të disbursuar) e më pas individëd (34% të totalit të disbursuar).
Roli i Mikrofinancës
Bazuar në numrin e kredive të disbursuara, sektori i mikrofinancës është i fokusuar tek individi me 75% të kredive të disbursuara. Në vitin 2017 ishte pothuajse një tabu për gjininë femërore të merrte një kredi e vetme. Si pasojë e dokumentacioenve të reduktuara dhe procesit të lehtë të kredidhënies arrijmë që në 2022 të kemi një rritje prej 263% të femrave të financuara. Gjithashtu prezenca e gjerë me pika fizike ka bërë të mundur të mundësia e financimit të penetrojë dhe në zona të cilat nuk kanë një degë banke në afërsinë e tyre. Vihet re një rritje konstante në zonat urbane për shkak të lëvizjes brenda vëndit dhe migrimit të vazhdueshëm të qytetarëve. Numri i familarëve të impaktuar nga kredia konsumatore janë çdo vit e në rritje. Sipas raporteve të AMA, në vitin 2022, numrat tregojnë për mbi 490 mijë familjarë që njihen si klientë aktivë. Ndërkohë në vitin 2023, ky numër u rrit me më shumë se 20%, duke çuar numrin në mbi 640 mijë qytetarë.
Çfarë kuptojmë?
Për të rritur kreditimin dhe për të arritur nivelet rajonale, Shqipëria ka nevojë për ndërveprim më të mirë midis bankave dhe institucioneve mikrofinanciare. Mbështetja e mikrofinancës jo vetëm që nxit ekonominë, por gjithashtu ndihmon ata që nuk mund të kenë akses në shërbimet tradicionale bankare. Ka ardhur koha për përpjekje të koordinuara për të rritur disponueshmërinë e kredisë, duke siguruar rritje dhe stabilitet në ekonominë shqiptare. Prandaj në një sens, për shumë familje shqiptare dhe individë, mund të themi me plot gojë shyqyr që kemi kredinë konsumatore!
