Bujqësia shqiptare vazhdon të ketë akses shumë të kufizuar në financimin bankar, pavarësisht rolit të rëndësishëm që luan në ekonomi dhe punësim.
Sipas raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2026, vetëm 2% e kredive për bizneset shkojnë në sektorin bujqësor, ndërsa kontributi i këtij sektori në Prodhimin e Brendshëm Bruto arriti në 14.6% gjatë vitit 2025.
Të dhënat nxjerrin në pah vështirësitë e financimit të një sektori që, megjithëse vazhdon të punësojë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, po humbet peshë në ekonominë shqiptare.
Komisioni Europian konstaton se kontributi i bujqësisë në PBB ka rënë nga mbi 21% në fillim të viteve 2020 në 14.6% në vitin 2025. Kjo tregon një tkurrje me më shumë se 6.4 pikë përqindjeje të peshës së sektorit në ekonominë kombëtare.
Ndërkohë, pesha e bujqësisë në punësim mbetet dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Europian, çka tregon rëndësinë që sektori vazhdon të ketë për të ardhurat dhe jetesën e familjeve shqiptare.
Raporti evidenton gjithashtu se bujqësia dhe industria shënuan tkurrje të aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2025, në një kohë kur ekonomia në tërësi u rrit me 3.7%, e mbështetur kryesisht nga shërbimet, ndërtimi dhe konsumi.
Skema prej 250 milionë eurosh, financimi zgjatet deri në vitin 2027
Për të lehtësuar aksesin në kredi, Banka e Shqipërisë ka zgjeruar programin e financimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, i cili nisi në fillim të vitit 2025.
Sipas Komisionit Europian, skema parashikon një financim prej 250 milionë eurosh përmes bankave tregtare, të mbështetur nga një garanci sovrane prej 30 milionë eurosh, e cila mund të mbulojë deri në 70% të principalit të kredisë.
Programi synon të përmirësojë kushtet e financimit për bizneset e vogla dhe të mesme, me vëmendje të veçantë ndaj bujqësisë, ku kreditimi mbetet në nivele shumë të ulëta.
Në maj 2026, qeveria, Banka e Shqipërisë dhe bankat tregtare nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, përmes të cilit programi u zgjat deri në vitin 2027.
Një nga ndryshimet kryesore ishte zgjerimi i përfituesve, duke përfshirë edhe fermerët që disponojnë numër identifikimi tatimor.
Megjithatë, Komisioni Evropian thekson se zbatimi i skemës duhet të jetë në përputhje me standardet e duhura të qeverisjes, mbikëqyrjes dhe rregullimit financiar.
Bujqësia përballë problemeve strukturore
Përtej financimit bankar, raporti evidenton se ndërmarrjet shqiptare vazhdojnë të përballen me mungesë të fuqisë punëtore dhe aftësive profesionale, informalitet të përhapur, nivel të ulët digjitalizimi dhe akses të kufizuar në financim.
Në sektorin bujqësor, Shqipëria ka ende nevojë të forcojë kapacitetet institucionale dhe të përafrojë sistemet e menaxhimit dhe kontrollit financiar me kërkesat e Politikës së Përbashkët Bujqësore të Bashkimit Europian.
Komisioni evidenton përparim në ndërtimin e sistemit të identifikimit të parcelave bujqësore, për të cilin është parashikuar një financim prej 8 milionë eurosh deri në vitin 2028. Megjithatë, regjistri i fermave ende nuk është përafruar plotësisht me kërkesat europiane.
Në raport përmendet gjithashtu se Shqipëria ka paraqitur gjatë vitit 2026 kërkesat për marrjen e përgjegjësive të menaxhimit buxhetor të programit IPARD III, ndërsa reforma e sistemit të këshillimit bujqësor mbetet në fazë të hershme.
Në këto kushte, rritja e aksesit në kredi dhe forcimi i kapaciteteve të sektorit mbeten ndër sfidat kryesore për bujqësinë shqiptare, e cila vazhdon të ketë rëndësi të madhe për punësimin, por një kontribut gjithnjë e më të vogël në ekonominë kombëtare./ekofin.al
