Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fundit të saj kushtet e negociimit të shoqërisë shtetërore “Kayo”, sh.a., me shoqëri tregtare private për prodhimin ose përshtatjen e mjeteve motorike të posaçme për t’u përdorur nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, strukturat e sigurisë dhe të emergjencave civile.
Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të ketë një pjesëmarrje jo më të ulët se 45% të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private, sipas këtij vendimi dhe do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar, me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 20 000 m2, që do t’i vihen në përdorim shoqërisë së përbashkët, në një nga format e parashikuara nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi.
Gjatë procesit të negociimit, në çdo rast, siguron nga subjekti me të cilin negocion, minimalisht:
një vlerë investimi jo më të ulët se 15 milionë euro në harkun kohor të 3 vjetëve; punësimin e jo më pak se 150 punonjësve në harkun kohor të 3 vjetëve; ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit të mjeteve të blinduara, sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe të standardeve të NATO-s; sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së produkteve, në rast eksporti.
Gjithashtu ajo do të sigurojë nga pala tjetër, gjatë negociatave, se, përpos parashikimeve të tjera, objekti i aktivitetit të shoqërisë tregtare, që do të krijohet, do të përmbajë prodhimin dhe tregtimin e mjeteve ushtarake dhe mjeteve për përdorim nga strukturat e sigurisë e të emergjencave civile.
Përveç kësaj, administratori/ët i/e shoqërisë, që do të krijohet nga dy shoqëritë e sipërcituara, zgjidhen/t me dakordësinë e shoqërisë “KAYO”, sh.a dhe se minimalisht 50% e këshillit drejtues ose këshillit mbikëqyrës të shoqërisë, që do të krijohet, në rast se forma e shoqërisë parashikon këto organe drejtuese/mbikëqyrëse, do të emërohen nga “KAYO”, sh.a.
Statuti i shoqërisë, që do të krijohet, përmban dispozitat mbi të drejtën e vetos, ndërsa “KAYO” do të garantojë sigurinë fizike të ambienteve të prodhimit të mjeteve ushtarake, të dhënat teknike dhe tregtare në lidhje me këto mjete dhe sigurimin e çdo informacioni teknik dhe projektimi të këtyre mjeteve, në përputhje me legjislacionin që rregullon veprimtarinë e tyre.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare” dhe për zbatimin e tij ngarkohet “KAYO”, sh.a./ekofin.al
