Xhiroja e 200 kompanive më të mëdha në vend, në vitin 2023 ishte 1.4 trilionë lekë (rreth 14 miliardë euro), me rënie prej rreth 6% në raport me 200 kompanitë më të mëdha në vitin 2022. Kjo është hera e parë që xhiroja e 200 më të mëdhenjve është në rënie, që nga periudha e pandemisë. Një vit më parë, rritja kishte qenë shumë më e fortë, në 24%. Por cilat janë 10 kompanitë më të mëdha në vend, referuar qarkullimit vjetor?
10 KOMPANITË MË TË MËDHA NË VEND
1. “OSHEE Group”
Nga viti 2020, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), kompania më e madhe në vend, në pronësi publike, u shndërrua në Korporatën e parë Publike Shqiptare, duke pasur në pronësi tri shoqëri, Furnizuesin e Shërbimit Universal, Furnizuesin e Tregut të Lirë dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH).
Të tria kompanitë kanë filluar të operojnë si të veçanta nga 1 janari 2020, pas ndarjes së funksioneve. Të tria shoqëritë figurojnë në listën e 10 më të mëdhave sipas qarkullimit vjetor, por xhiroja e tyre është e dubluar, për shkak të veprimeve me njëra-tjetrën.
Sipas të dhënave zyrtare të buxhetit faktit të Ministrisë së Financave, qarkullimi vjetor i të tria kompanive, duke netuar vlerat e të ardhurave nga aktiviteti i shoqërive brenda grupit ishte rreth 75 miliardë lekë në vitin 2023, pothuajse në të njëjtat nivele me vitin e mëparshëm, duke u renditur në sipërmarrjen më të madhe në vend.
Enea Karakaçi, administrator i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) tha se viti 2023 kishte në fokus konsolidimin e situatës financiare të shoqërisë, pas dy viteve të krizës, dhe rikthimin e investimeve në rrjet, me qëllim rritjen e cilësisë së furnizimit në gjithë Shqipërinë, por edhe në zonat me rëndësi strategjike turistike. “Gjatë vitit 2023 u realizua një ulje humbjesh rekord, në nivelin 18.93%.
Po ashtu, edhe arkëtimet mbajtën të njëjtin ritëm, në nivelin rreth 99%. Gjithashtu, përmirësuan treguesit teknikë të cilësisë së shërbimit të shpërndarjes, si rrjedhojë e investimeve dhe mirëmbajtjes së rrjetit elektrik, nëpërmjet fondeve me vlerë 4 miliardë lekë”.
2. “Kastrati Group”
Kompania më e madhe e importit dhe tregtimit të naftës me shumicë, “Kastrati Group”, ka zbritur në vendin e dytë në listën e “Monitor 200”, që i rendit sipërmarrjet sipas të ardhurave vjetore. Shoqëria raportoi 69.5 miliardë lekë qarkullim vjetor, me rënie prej 25.4% në raport me vitin e mëparshëm, pas rritjes së fortë prej 51% në 2022.
Këto luhatje të mëdha lidhen me ecurinë e çmimeve të naftës në bursat ndërkombëtare dhe kursit të këmbimit, që reflektohen dhe në tregun vendas.
Vitet e fundit, grupi “Kastrati” është diversifikuar edhe në ndërtim e hoteleri dhe sidomos në ndërtim e operim në infrastrukturë [me një seri projektesh të tilla (porti MBM), (Aeroporti Rinas) dhe autostrada (Rruga e Kombit, me 50% të aksioneve)].
Z.Shefqet Kastrati, President i “Kastrati Group” pohon se secila kompani ka pasur një performancë të mirë, duke shënuar rritje në të ardhura. “Trendi pozitiv ka vijuar edhe përgjatë vitit 2024, ku rezultatet e 6 mujorit të parë reflektojnë një rritje të mëtejshme të të ardhurave”. Ai shton se grupi do të fokusohet gjithashtu në fushën e turizmit dhe specifikisht atë të hotelerisë, ku aktualisht jemi angazhuar në projektet e dy hoteleve të mëdha ndërkombëtare si Hyatt Regency dhe Hilton Tirana. “Ne jemi duke parë mundësinë për investime edhe në jug të Shqipërisë, duke besuar se turizmi është një nga burimet kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit”.
3. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (Sh.a KESH)*
“Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (Sh.a. KESH)” renditet për të tretin vit radhazi në listën e 10 më të mëdhave, duke u ngjitur në vend të tretë. Në vitin 2023, të ardhurat u rritën me 14.2%, në 42 miliardë lekë, sipas të dhënave të buxhetit faktik të Ministrisë së Financave.
“Viti 2023 ishte një periudhë me aktivitet intensiv për Korporatën dhe sektorin elektroenergjetik në përgjithësi. Ndërkohë që çmimet e energjisë ishin relativisht të qëndrueshme në periudhën 2010-2020, vitet 2021 dhe 2022 panë rritje të paprecedentë të çmimeve.
Megjithatë, në vitin 2023, çmimet ranë dhe u stabilizuan, duke lehtësuar presionin mbi ekonominë globale dhe duke ulur ekspozimin e Korporatës ndaj rreziqeve që paraqet tregu i energjisë nga çmimet e larta”, pohon Erald Elezi, Administrator Korporata Elektroenergjetike Shqiptare.
Ai shton se viti 2023 rezultoi vit i favorshëm hidrik duke stimuluar aktivitet shfrytëzues dhe gjenerues të shtuar, ku Korporata arriti të përballojë më me lehtësi dhe siguri përgjegjësitë ndaj situatës së emergjencës në furnizimin me energji elektrike.
“Po kështu, edhe situata e çmimeve të stabilizuara në tregjet globale të energjisë favorizuan një aktivitet të ndjeshëm pozitiv për korporatën gjatë vitit 2023.
Pavarësisht kësaj situate pozitive, KESH u kujdes për menaxhimin sa më eficient të Kaskadës së Drinit dhe gjithashtu, duke zhvilluar aktivitetin e përgjithshëm mbi parimet e optimizimit dhe menaxhimit eficient të kostove”.
4.“Kurum International”
“Kurum International”, me aktivitet në prodhimin, tregtimin e çeliqeve të ndërtimit e profileve të tjera të hekurit dhe prodhim energjie, shënoi rënie të të ardhurave prej 18% në 2023, duke arritur në 37.7 miliardë lekë. Kjo nuk e ka penguar kompaninë të ruajë vendin e katërt, njësoj me vitin e kaluar.
Sipas raportit të aktivitetit, Shoqëria, gjatë vitit 2023 ka vijuar aktivitetin e saj në të gjithë sektorët e prodhimit, përfshirë prodhimin e prokateve të çelikut në fabrikën e çelikut, prodhimin e shufrave të çelikut në fabrikën e petëzimit, prodhimin e gëlqeres në fabrikën e gëlqeres, si dhe prodhimin e energjisë elektrike në 4 HEC-et në pronësi të saj.
Kompania ka prodhuar rreth 135,492 tonë prokate çeliku dhe rreth 281,373 tonë shufra çeliku.
Në aktivitetin tjetër, atë të energjisë, u prodhuan rreth 373 milionë KW, nga të cilat rreth 266 milionë KW u destinuan për shitje dhe pjesa tjetër për përdorim në fabrikën e përpunimit të çelikut të Elbasanit.
Sipas të dhënave në bilanc, gati 90% të ardhurave ishin nga aktiviteti kryesor (nga shitja e hekurit dhe nënprodukteve të tij) dhe pjesa tjetër, nga prodhimi i energjisë e aktivitetet e tjera. Një vit më parë, energjia përbënte 30% të të ardhurave për shkak të çmimeve të larta.
Erdal Demir, administrator i “Kurum International” pohon se ulja e të ardhurave lidhet kryesisht me rënien e çmimeve të hekurit të ndërtimit në bursat ndërkombëtare, e pritshme pas situatës së niveleve të larta në 2021-2022.
Edhe çmimet e energjisë shënuan rënie të pritshme pas krizës energjetike dhe niveleve të larta në 2022. “Shoqëria momentalisht ka mbyllur procesin e prodhimit në fabrikën e çelikut dhe të petëzimit, ndërkohë që është arritur një marrëveshje me punëtorët për këtë çështje, duke u siguruar atyre që të mos penalizohen për shkak të mbylljes së aktivitetit të prodhimit.
Ndërkohë, për të pasur mundësinë e rritjes së konkurrueshmërisë, shoqëria po vazhdon procesin e investimeve në të gjitha proceset prodhuese”.
5.“Gega Oil Group”
“Gega Oil Group” (ish-“Genklaudis SH.A.”) u rendit në vitin 2023, si operatori i dytë më i madh i naftës në vend, pas “Kastrati Group” për të pestin vit radhazi. Kompania ka deklaruar një qarkullim vjetor prej rreth 36.5 miliardë lekësh, me rënie prej 17.6% me bazë vjetore.
Sipas raportit të aktivitetit, “sasia totale e karburanteve e tregtuar për vitin 2023 është 347 milionë litra. Në raport me sasitë e shitura totale në vitin 2022, në vitin 2023 janë shitur gjithsej karburante në sasinë 22.5 milionë litra më shumë se viti 2022”.
Sipas raportit, shoqëria ka kryer investime në zonën energjetike Porto Romano, Durrës, dhe ka shtuar kapacitetin depozitues ekzistues për produktet që tregton.
6.“Big Market”
“Big Market”, zinxhiri më i madh i supermarketeve në vend, për herë të katërt është klasifikuar ndër 10 më të mëdhatë, sipas qarkullimit vjetor të konsoliduar për të gjithë rrjetin. Të ardhurat e kompanisë, sipas të dhënave zyrtare, ishin rreth 26.6 miliardë lekë, me rritje prej 8.7% në krahasim me vitin e kaluar.
Rrjeti i supermarketeve të “Big Market” ka njohur rritje të shpejtë vitet e fundit, duke arritur në 180 pika. Burime zyrtare thanë se theksi është vënë te përmirësimi i cilësisë dhe shërbimit në çdo pikë të rrjetit duke u fokusuar tek produktet e freskëta dhe përgjigja në kohë e të gjitha kërkesave të konsumatorëve për produkte apo mallra nga të gjitha kategoritë.
Ndikim ka dhënë dhe zgjerimi i sektorit jo ushqimor me një gamë të gjerë tekstile, kancelari, kopshtari etj. Kompania investon vazhdimisht në burimet njerëzore nëpërmjet skemave te vlerësimit, promovimit dhe trajnimit, krahas riorganizimit të brendshëm në nivele menaxhimi.
7.”Europetrol Durrës Albania”
“Europetrol Durrës Albania”, shoqëria që tregton karburante me shumicë ka rihyrë në listën e 10 më të mëdhave, pas daljes së sipërmarrjeve të tregtimit të energjisë.
Kompania raportoi të ardhura prej 22.1 miliardë lekësh, me rritje prej 11.6% në raport me vitin 2022. Sipas raportit të aktivitetit, dy elementet që ndikojnë në ecurinë e kompanisë janë çmimi i karburanteve në bursat ndërkombëtare, që është një faktor i jashtëm dhe kursi i këmbimit, pasi kompania është eksportuese.
“Ndër politikat mbrojtëse që zbaton kompania jonë, janë përcaktimi i çmimeve referuar Bursës Ndërkombëtare të çmimit të shitjes Brent, si dhe trendit të kontratave Forward dhe Future në bursën NYMEX”.
8.“Bankers Petroleum”
“Bankers Petroleum”, prodhuesi kryesor i naftës, që ka me koncesion fushën naftëmbajtëse më të madhe mbi tokë në Europë, Patos-Marinzën, raportoi të ardhura rreth 21.8 miliardë lekë, me rënie prej 18.7% me bazë vjetore, sipas burimeve të saj zyrtare (bilanci në QKB nuk është dorëzuar ende).
Huanqin Xiao, CEO i Bankers Petroleum Albania se kompania pati një performancë pozitive në 2023 dhe vazhdon të tregojë qëndrueshmëri në 2024. “Pavarësisht disa sfidave të tregut botëror, ne mbajtëm nivele të qëndrueshme prodhimi dhe likuiditet të qëndrueshëm të ardhurash.
Ne shënuam një prodhim total prej mbi 520,000 ton vitin e kaluar, duke gjeneruar një qarkullim të ardhurash prej 217 milionë dollarë”.
9.“Banka Kombëtare Tregtare”
“Banka Kombëtar Tregtare” (BKT) është një tjetër rihyrje në listën e 10 më të mëdhave. BKT mbetet banka më e madhe në vend sa u përket të ardhurave, më qarkullim prej 21.8 miliardë lekësh në 2023, me zgjerim prej 25%. Sipas të dhënave të tjera nga Shoqata e Bankave, BKT është më e madhja në vend për nga totali i aktiveve, e treta për nga huadhënia në ekonomi dhe e para për nga depozitat.
“Duke përfituar nga struktura e bilancit tonë, e cila është e mirëkapitalizuar dhe likuide, ne e mbyllëm vitin 2023 me fitim shumë të lartë: 26 për qind kthim mbi kapitalin në USD.
Të ardhurat gjithëpërfshirëse për vitin janë në një rekord prej 118 milionë USD, i cili do të na lejojë të vazhdojmë me pagesën e planifikuar të dividendit prej 50 milionë USD në vitin 2024, ashtu si edhe në vitin 2023.
Gjithashtu, kjo na lejon të forcojmë më tej bazën tonë të kapitalit, që na nevojitet si banka më e madhe sistemike në vend. Për këtë qëllim, ne emetuam obligacionin MREL prej 30 milionë Euro, i pari dhe më i madhi i këtij lloji në Shqipëri.
Edhe pse kjo na kushton uljen e levës dhe rritjen e kostos së kapitalit, ne jemi krenarë që jemi banka lider me rëndësi sistemike në vend”, ka pohuar drejtori i përgjithshëm i BKT-së, Seyhan Pencapligil, në raportin vjetor 2023.
10.“Kastrati”
“Kastrati” sh.p.k. operatori me pakicë i “Kastrati Group” ka hyrë në listë, në vendin e 10-të.
Të ardhurat e kompanisë ishin 20.1 miliardë lekë në 2023, me rënie vjetore prej 6.8% të ndikuar nga ulja e çmimeve dhe e kursit të këmbimit. Sipas të dhënave nga raporti i aktivitetit, numri i pikave të karburantit të shoqërisë në fund të 2023 ishte 87, me katër pika më shumë në raport me fundin e 2022. /monitor


1 Comment
Pingback: Shefqet Kastrati - The leader who transformed Albania’s economy