Shqipëria po pozicionohet gjithnjë e më shumë si një qendër strategjike energjetike në rajon, falë investimeve në ndërlidhjet energjetike, diversifikimit të burimeve të rinovueshme dhe projekteve të reja në sektorin e gazit natyror. Ky ishte mesazhi kryesor i përcjellë nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, gjatë Konferencës së Energjisë të organizuar në Athinë nga Financial Times.
Në panelin rajonal ku morën pjesë ministrat e energjisë nga Greqia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Moldavia dhe Gjeorgjia, Karakaçi prezantoi zhvillimet kryesore të Shqipërisë në sektorin energjetik, duke theksuar se vendi ka krijuar një pozicion të favorshëm për shkak të rrjetit të interkonjeksioneve me vendet fqinje.
Sipas tij, një nga projektet më të rëndësishme mbetet linja e transmetimit me Maqedoninë e Veriut, e cila ka përfunduar mbi 90% të punimeve, ndërsa Shqipëria po avancon edhe projektet për interkonjeksionin energjetik me Italinë.
Ministri u ndal edhe te partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përmendur dy marrëveshjet e nënshkruara së fundmi që synojnë transformimin e Vlorës në një qendër gravitacionale rajonale për transmetimin e gazit natyror.
Karakaçi theksoi se Shqipëria ka një avantazh të rëndësishëm në raport me vendet e tjera të rajonit, pasi prodhon 100% të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, çka i jep mundësi të integrojë kapacitete nga gazi natyror pa cenuar objektivat e Bashkimit Europian për energjinë e pastër.
Një tjetër element i rëndësishëm i prezantimit ishte diversifikimi i burimeve të rinovueshme. Ministri deklaroi se Shqipëria nuk mbështetet më vetëm te hidrocentralet, pasi mbi 10% e prodhimit të energjisë tashmë sigurohet nga energjia fotovoltaike.
Sipas tij, ky transformim është rezultat i politikave të ndjekura nga qeveria shqiptare për zhvillimin e ankandeve fotovoltaike dhe nxitjen e investimeve private në sektorin e energjisë diellore.
Gjatë konferencës, ministri zhvilloi edhe një takim bilateral me ministrin grek të energjisë, ku u diskutua forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në sektorin energjetik.
Në fokus të bisedimeve ishte projekti për ndërtimin e një linje të dytë interkonjeksioni mes Shqipërisë dhe Greqisë, projekt që konsiderohet me rëndësi të veçantë për shkak të rritjes së prodhimit nga energjia e rinovueshme në Shqipëri dhe nevojës për zgjerimin e kapaciteteve të transmetimit.
Karakaçi kërkoi gjithashtu thellimin e bashkëpunimit mes bursës shqiptare të energjisë elektrike dhe bursës greke të energjisë, duke theksuar se tregu shqiptar ka shënuar rritje të konsiderueshme të volumeve të transaksioneve vitet e fundit.
Sipas ministrit, bashkëpunimi me palën greke ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë operacionale dhe eficiencës së transaksioneve në tregun shqiptar të energjisë elektrike, ndërsa integrimi rajonal mbetet një nga objektivat kryesore të politikave energjetike të Shqipërisë.
