Zona e Liqenit të Thatë ka marrë hov të madh zhvillimi dhe ndërtimesh, sidomos në 10-vjeçarin e fundit, por infrastruktura ka mbetur shumë mbrapa. Banorët përballen ndër të tjera me trafikun e rënduar dhe problematik, që u krijon atyre vonesa dhe vështirësi serioze.
Bashkia Tiranë ka hapur procedurën e prokurimit për ndërhyrjen në rrugën e Liqenit të Thatë.
Në raportin teknik thuhet se rruga është e amortizuar dhe se ndërhyrja bazohet në nevojën për rizhvillimin e zonës. Rruga e Liqenit të Thatë me një gjatësi prej 1150 metër fillon nga kopshti zoologjik i Tiranës, aty ku mbaron rruga “Shyqyri Brari” deri te rrethrrotullimi i rrugës “Hiqmet Buzi”. Projekti ka për qëllim ndërtimin e rrugës në zonë, me të gjitha parametrat e nevojshme inxhinierike dhe elementëve të infrastrukturës rrugore, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së komunitetit të kësaj zone.
Ky projekt pritet të kushtojë rreth 1.2 milionë euro. Në këtë aks ekziston rrjeti i ujit të pijshëm si edhe rrjetet e kanalizimeve të ujërave të ndotura dhe ato të shiut. Përmes ndërhyrjes që pritet të bëhet nga ana e bashkisë synohet
- a) Krijimi dhe përmirësimi i aksesit të zonave të reja dhe atyre ekzistuese urbane, brenda dhe jashtë sistemit urban;
- b) Përcaktimi i territorit për ndërtimin e infrastrukturave publike;
- c) Përcaktimi i territorit për ndërtimin e infrastrukturave nëntokësore kyresore publike.
Për sa i përket sinjalistikës pritet që të vihet sinjalizimi vertikal, me tabela si ato të rrezikut, urdhëruese ose treguese, sinjalet e ndalimit, sinjalet e rrezikut që paralajmërojnë praninë e rreziqeve si edhe sinjalet horizontale./ekofin.al




