Janari ka qënë i mbarë për Gjirokastrën pasi ka shënuar rritje të numrit të vizitorve. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Gjirokastër njoftoi se “vizitat turistike në Kalanë e Gjirokastrës për periudhën 1-31 janar 2023 kanë ardhur duke u rritur krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”.
Gjatë këtij muaji kalaja e Gjirokastrës është vizituar nga 2,701 vizitorë ose 1,914 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2022.
Kalaja e Gjirokastrës si histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës, përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336. Në këto vite, ajo ishte qendra e feudalëve shqiptarë Zenevisë. Më vonë, gjatë sundimit të Gjin Bue Shpatës, ajo u përfshi në Despotatin e Epirit. E megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë se ekzistenca e kalasë së gurtë është më e hershme. Sipas tyre, kalaja ka pas dy faza ndërtimi, të cilat lidhen me periudhën para dhe pas Pashallëkut të Janinës dhe fortesave të Ali Pashë Tepelenës.
Gjirokastra është vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s, ajo është bërë e famshme pasi ka ruajtur më së miri kompaktësinë e një qyteti të vjetër me arkitekturë unike. Si vendi i lindjes së shkrimtarit shqiptar me famë botërore Ismail Kadare, por dhe i diktatorit famëkeq Enver Hoxha, qyteti është aq intrigues dhe kontravers, pasi ruan mirë gjithë fazat e historisë.