Shqipëria duhet të kalojë nga zhvillimi i projekteve të veçuara për qytetet inteligjente drejt një strategjie kombëtare të integruar, që mundëson përdorimin e teknologjisë në të gjithë territorin, rrit efikasitetin e shërbimeve publike dhe krijon mundësi të reja për investime.
Ky ishte një nga mesazhet kryesore të Jonida Lakuriqit, Drejtoreshë e Çështjeve Ligjore, Politikave Publike dhe Marrëdhënieve me Jashtë në Vodafone Albania, gjatë diskutimit në panelin “From Smart Cities to a Smart Nation” (Nga qytetet inteligjente drejt një kombi inteligjent), të zhvilluar në kuadër të Panairit të Energjisë, Ndërtimit dhe Ekonomisë së Gjelbër, më 20 nëntor 2026.
Në ndërhyrjet e saj, Lakuriqi theksoi se sfida kryesore për Shqipërinë nuk është më mungesa e teknologjisë, por fragmentimi i iniciativave digjitale dhe mungesa e një qasjeje të koordinuar në nivel kombëtar.
“Shqipëria ka 61 bashki. Nuk i duhen 61 strategji digjitale të shkëputura nga njëra-tjetra”, u shpreh ajo, duke argumentuar se zhvillimi i sistemeve të veçanta nga çdo bashki krijon kosto shtesë, kufizon ekonomitë e shkallës dhe pengon shtrirjen e inovacionit.
Sipas saj, nëse Tirana ndërton një sistem inteligjent transporti, Durrësi një platformë për menaxhimin e mbetjeve dhe Elbasani një sistem ndriçimi inteligjent, por këto funksionojnë të izoluara, vendi humbet mundësinë për të përfituar nga zgjidhje të përbashkëta.
“Jemi tashmë një vend i vogël. Nuk mund t’ia lejojmë vetes të bëhemi edhe më të vegjël. Të ndërtojmë një herë, të përshtatim në nivel lokal dhe të zgjerojmë në nivel kombëtar”, u shpreh Lakuriqi.
Përfaqësuesja e lartë e Vodafone Albania kërkoi një strategji kombëtare për qytetet inteligjente, të shoqëruar me një plan konkret zbatimi, standarde të hapura dhe një arkitekturë teknologjike që mundëson integrimin e zgjidhjeve të ndryshme, tërheqjen e investimeve dhe shmangien e varësisë nga një furnizues i vetëm.
Në këtë kuadër, ajo u ndal edhe te nevoja për të ndryshuar mënyrën se si institucionet publike prokurojnë shërbimet teknologjike. Sipas saj, përzgjedhja e partnerëve nuk duhet të mbështetet vetëm te çmimi, por edhe te kapacitetet e provuara, siguria kibernetike, qëndrueshmëria e sistemeve dhe mirëmbajtja e tyre gjatë gjithë ciklit të përdorimit.
Lakuriqi solli në vëmendje edhe përvojën e Vodafone Albania në zhvillimin e shërbimeve digjitale, duke kujtuar se kompania ishte ndër pionierët e zgjidhjeve për qytetet inteligjente në vend.
Në vitin 2016, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, Vodafone zhvilloi aplikacionin “Tirana Ime”, që u mundësonte qytetarëve të monitoronin trafikun, të paguanin parkimin përmes SMS-ve, të raportonin problematika në lagje dhe të komunikonin në mënyrë digjitale me bashkinë.
Një tjetër shembull ishte “Komisariati Dixhital”, i zhvilluar në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe me mbështetjen e Fondacionit Vodafone Albania, përmes të cilit qytetarët mund të raportonin incidente në mënyrë anonime dhe të ndiqnin reagimin e policisë. Sipas Lakuriqit, vetëm gjatë dhjetë javëve të para u regjistruan afro 14 mijë raportime.
Duke iu referuar përvojës ndërkombëtare të Vodafone Group në Internetin e Gjërave (IoT), ajo prezantoi disa modele që mund të përshtaten edhe në Shqipëri.
Në Valladolid të Spanjës, rreth 800 sensorë lidhin 44 ndërtesa publike në 42 bashki përmes një platforme të përbashkët. Në Ibiza, teknologjia përdoret për monitorimin e frekuentimit të plazheve dhe cilësisë së ajrit e ujit, një model që, sipas saj, mund të zbatohet edhe në Rivierën Shqiptare.
Në Greqi, Vodafone ka mbështetur tranzicionin e gjelbër dhe digjital të ishullit Chalki, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar sensorët inteligjentë ndihmojnë në identifikimin e rrjedhjeve nëntokësore të ujit. Në Holandë, teknologjia mundëson mbledhjen e mbetjeve sipas nevojës reale dhe jo sipas orareve fikse.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua inteligjencës artificiale dhe ndikimit të saj në efikasitetin energjetik dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Lakuriqi theksoi se kombinimi i IoT me inteligjencën artificiale po ndryshon mënyrën se si funksionojnë qytetet, duke kaluar nga mbledhja e të dhënave te parashikimi i problemeve dhe reagimi automatik i infrastrukturës.
Ajo përmendi mundësinë e përdorimit të modeleve digjitale të qyteteve, të njohura si “digital twins”, për të testuar paraprakisht ndryshimet në qarkullimin rrugor, përpara se ato të zbatohen në terren.
Në këtë drejtim, Lakuriqi solli edhe shembullin e investimeve dhe inovacioneve që Vodafone po teston në Shqipëri.
Aktualisht, kompania po teston në Tiranë një antenë robotike të mbështetur nga inteligjenca artificiale, e cila mund të ndryshojë fizikisht pozicionin në varësi të kërkesës për mbulim. Kjo teknologji mund të mundësojë orientimin e kapaciteteve të rrjetit drejt zonave tregtare gjatë ditës dhe drejt zonave të banuara gjatë mbrëmjes.
Ajo u ndal edhe te koncepti “zero bit, zero watt”, që synon uljen e konsumit të energjisë së rrjetit në periudhat kur kapaciteti nuk është i nevojshëm.
Sipas saj, e njëjta filozofi mund të zbatohet në administrimin e ndërtesave dhe infrastrukturës urbane, duke shmangur konsumin e panevojshëm të energjisë.
Megjithatë, Lakuriqi paralajmëroi se digjitalizimi nuk nënkupton automatikisht zhvillim të gjelbër, pasi vetë inteligjenca artificiale kërkon energji për të funksionuar.
“E ardhmja e inteligjencës artificiale nuk është thjesht fuqia përpunuese, por inteligjenca për çdo vat energjie”, theksoi ajo.
Në këtë kontekst, modernizimi i rrjetit, përdorimi i energjisë diellore në infrastrukturën e telekomunikacionit dhe elektrifikimi i flotës së automjeteve janë pjesë e përpjekjeve të Vodafone Albania për uljen e emetimeve të karbonit.
Një tjetër mesazh i rëndësishëm lidhej me mundësinë që Shqipëria ta kthejë madhësinë e saj relativisht të vogël në një avantazh konkurrues për zhvillimin teknologjik.
Sipas Lakuriqit, në ekonominë industriale përmasat kanë një rëndësi vendimtare, ndërsa në ekonominë e bazuar te inteligjenca dhe inovacioni, shpejtësia e përshtatjes mund të jetë më e rëndësishme.
Shqipëria, sipas saj, ka mundësi të koordinojë më shpejt politikat në nivel kombëtar, të eksperimentojë me teknologji të reja dhe të zgjerojë zgjidhjet e suksesshme, duke u kthyer në një vend ku testohen inovacionet ndërkombëtare dhe jo thjesht në një treg që i konsumon ato.
Lakuriqi vuri theksin edhe te demokratizimi i aksesit në inteligjencën artificiale, duke argumentuar se teknologjia duhet të jetë e përdorshme për të gjithë qytetarët dhe bizneset, pavarësisht vendndodhjes apo nivelit të aftësive digjitale.
Ajo solli si shembull mundësinë që një biznes familjar në Përmet të përdorë instrumente analitike që më parë ishin të disponueshme vetëm për korporatat shumëkombëshe, një nxënës në Kukës të përfitojë arsimim të personalizuar dhe një pensionist të aksesojë shërbimet publike duke komunikuar thjesht në gjuhën shqipe.
Në këtë drejtim, përdorimi i inteligjencës artificiale me agjentë autonomë mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e ndërveprimit të qytetarëve me administratën.
Megjithatë, ajo theksoi se ky transformim duhet të shoqërohet me mbrojtjen e të dhënave personale, mbikëqyrjen njerëzore dhe ruajtjen e mundësisë për asistencë nga punonjësit e institucioneve.
“Duam qytete inteligjente, jo qytete të mbikëqyrjes”, nënvizoi Lakuriqi.
Në përfundim, përfaqësuesja e Vodafone Albania theksoi se demokratizimi i inteligjencës artificiale nuk duhet parë vetëm si përgjegjësi sociale, por si një strategji kombëtare për rritjen e konkurrueshmërisë.
Sipas saj, Shqipëria duhet të shmangë krijimin e një hendeku të ri mes atyre që kanë akses në inteligjencën artificiale dhe atyre që mbeten jashtë saj.
Mesazhi përfundimtar ishte se suksesi i një “kombi inteligjent” nuk matet me numrin e aplikacioneve, sensorëve apo sistemeve teknologjike, por me përmirësimin konkret të cilësisë së jetës së qytetarëve dhe aftësinë për ta kthyer inovacionin në zhvillim ekonomik e social. /ekofin.al
