Banka e Shqipërisë organizon aktivitetin e hapjes se javës së parasë 2026. Java e Parasë është një festë mbarë botërore e parasë, që synon ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë qytetarë të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të aftë financiarisht.
Në fjalën e mbajtur prej tij, guvernatori Gent Sejko ka deklaruar se edukimi financiar është një element shumë i rëndësishme për popullatën pasi ka të bëjë me mirëqenien e saj. Ai ka shtuar se një nga sfidat e kohëve moderne është digjitalizimi dhe modernizimi i sistemit bankar dhe të pagesave, ndërsa shtoi se shqiptarët po ambientohen me format moderne të pagesave me kartë.
Fjala e plotë e Guvernatorit të BSH:
Të nderuar përfaqësues të institucioneve publike,
Të nderuar përfaqësues të sektorit bankar,
Të dashur nxënës, studentë, mësues dhe të rinj,
Është kënaqësi e veçantë për mua të hap sot aktivitetet e Javës Globale të Parasë 2026, një iniciativë që zhvillohet çdo vit në shumë vende të botës dhe që synon të afrojë brezat e rinj me njohuritë bazë të financave dhe të ekonomisë.
Kjo javë është bërë tashmë një moment i rëndësishëm për të bashkuar institucionet publike, sektorin financiar, sistemin arsimor dhe partnerët kombëtarë e ndërkombëtarë, në një përpjekje të përbashkët: rritjen e kulturës financiare në shoqëri dhe në veçanti te brezi i ri.
Për Shqipërinë, viti 2026 ka një domethënie të veçantë, pasi shënon 100-vjetorin e emetimit të monedhës së parë kombëtare shqiptare. Ky përvjetor na jep mundësinë të rikthejmë vëmendjen te historia e Lekut shqiptar dhe te roli që paraja kombëtare ka luajtur në zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit.
Java Globale e Parasë koordinohet në mbarë botën nga OECD-INFE dhe synon të ndihmojë fëmijët dhe të rinjtë të kuptojnë më mirë mënyrën se si funksionojnë financat në jetën e përditshme. Tema ndërkombëtare e këtij viti, “Smart Money Talks”, nënvizon rëndësinë e komunikimit të hapur dhe të informuar për çështjet financiare.
Në këtë frymë, slogani që kemi zgjedhur për aktivitetet në Shqipëri është “Flasim zgjuar për paranë – 100 vjet monedhë kombëtare”. Ai synon të lidhë reflektimin mbi historinë e parasë sonë kombëtare me nevojën për të zhvilluar një kulturë financiare më të shëndetshme, për të shmangur gabimet apo mashtrimet, duke i fuqizuar të rinjtë të marrin kontrollin e mirëqenies së tyre financiare.
Të dashur të rinj,
Historia e monedhës kombëtare është e lidhur ngushtë me historinë e zhvillimit të shtetit dhe të institucioneve të tij ekonomike. Emetimi i Frangës dhe Lekut shqiptar në vitin 1926 përfaqësoi një hap të rëndësishëm në konsolidimin e sovranitetit monetar të vendit dhe në ndërtimin e një sistemi financiar modern. Për një shekull, Leku shqiptar ka qenë më shumë se një instrument pagese. Ai ka përfaqësuar një element të rëndësishëm të sovranitetit ekonomik të vendit dhe një pikë referimi të stabilitetit monetar. Nëpër periudha të ndryshme historike, paraja jonë kombëtare ka reflektuar zhvillimin e institucioneve financiare shqiptare dhe përpjekjet për të ndërtuar një ekonomi moderne dhe të qëndrueshme. Besimi që qytetarët dhe bizneset kanë te monedha kombëtare është një nga shtyllat mbi të cilat mbështetet funksionimi i ekonomisë dhe roli i bankës qendrore në ruajtjen e stabilitetit financiar.
Sistemi monetar dhe financiar shqiptar ka kaluar nëpër shumë transformime. Nga një ekonomi ku dominonte përdorimi i parasë fizike, kemi kaluar gradualisht drejt një infrastrukture financiare gjithnjë e më të avancuar, ku pagesat elektronike dhe shërbimet digjitale po marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm. Në këtë kontekst transformimi, roli i parasë po evoluon së bashku me zhvillimin e teknologjisë dhe të tregjeve financiare.
Në këtë proces, Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit monetar, në modernizimin e sistemeve të pagesave dhe në krijimin e kushteve për funksionimin e një sistemi financiar të qëndrueshëm dhe të besueshëm.
Sot, në një kohë kur teknologjia po ndryshon me shpejtësi mënyrën se si menaxhojmë paranë, edukimi financiar bëhet një element gjithnjë e më i rëndësishëm. Në këtë kuadër, aktivitetet e Javës Globale të Parasë 2026 synojnë të krijojnë hapësira për të mësuar, për të diskutuar dhe për të reflektuar mbi këto tema. Përmes leksioneve të hapura, konkurseve, aktiviteteve edukative dhe takimeve ndërvepruese, nxënësit dhe studentët do të kenë mundësi të njihen më mirë me botën e financave dhe me rëndësinë e vendimmarrjes së kujdesshme.
Këtë vit, aktivitetet tona edukative lidhen edhe me përvjetorin e rëndësishëm të monedhës kombëtare, i cili prezantohet më së miri edhe në ekspozitën “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje, Banka e Shqipërisë (1925–2025)”, ku publiku mund të njihet me historinë e parasë dhe të bankingut qendror në vendin tonë.
Të dashur miq,
Organizimi i Javës Globale të Parasë është rezultat i bashkëpunimit të shumë institucioneve dhe partnerëve. Dua të shpreh mirënjohjen time për Ministrinë e Arsimit, për Shoqatën Shqiptare të Bankave, për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave, për Bankën Botërore, Junior Achievement of Albania, për bankat tregtare, si dhe për të gjithë ata që kontribuojnë në realizimin e kësaj nisme të rëndësishme në mbështetje të edukimit dhe përfshirjes financiare në vend.
Në përfundim, dëshiroj t’ju inkurajoj, veçanërisht ju të rinjve, ta shfrytëzoni këtë javë për të mësuar më shumë rreth mënyrës se si funksionon paraja dhe si mund ta menaxhoni atë me mençuri. Vendimet financiare që merrni sot mund të ndikojnë në mirëqenien tuaj nesër.
Ju falënderoj dhe ju uroj një javë të mbushur me kreativitet, njohuri të reja dhe përvoja të vlefshme!
