Në vitet e fundit, tregu financiar shqiptar po njeh një përdorim gjithnjë e më të shpeshtë të emetimit të obligacioneve me ofertë private si instrument për sigurimin e fondeve. Bankat dhe institucionet financiare po i drejtohen këtij mekanizmi jo vetëm si alternativë ndaj huamarrjes tradicionale, por edhe si një mënyrë më fleksibël dhe e strukturuar për të optimizuar burimet e financimit në përputhje me strategjitë e tyre afatmesme dhe afatgjata.
Në rastin e bankave, obligacionet janë përdorur shpesh për forcimin e kapitalit rregullator dhe përmbushjen e kërkesave prudenciale, duke përmirësuar raportet e mjaftueshmërisë së kapitalit dhe kapacitetin për të zgjeruar portofolin e kredisë. Ndërsa për institucionet e tjera financiare, përfshirë kompanitë mikrofinanciare dhe fintech, emetimet me ofertë private kanë shërbyer kryesisht për financimin e operacioneve të përditshme, rritjen e kredidhënies dhe diversifikimin e burimeve të financimit, duke i bërë ato më pak të varura nga kanalet tradicionale bankare apo nga tregjet ndërkombëtare.
Së fundmi, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratoi emetimin e tretë të obligacioneve me ofertë private të kompanisë fintech estoneze, Iute. Referuar burimeve nga tregu, shuma totale e obligacioneve të emetuara nga iute kap vlerën e rreth 9.65 milionë eurove. Emetimet e obligacioneve janë në lekë dhe në euro, me afat maturimi 3-vjeçar, me norma interesi konkurruese, të cilat rezultojnë shumë herë më të larta sesa emetimet e obligacioneve shtetërore. Referuar të dhënave të BSH, në ankandin më të fundit të obligacioneve 3-vjeçare shtetërore, kuponi ishte 3.55%.
Sipas të dhënave të ekofin.al, të tre obligacionet e emetuara nga iute janë të transferueshme dhe administrohen nga banka kujdestare si Fibank dhe Credins, ndërsa agjent në këtë proces është vetë IuteCredit.
Struktura e qartë e instrumenteve, periodiciteti i interesit dhe normat e ofruara e kanë bërë ofertën tërheqëse në një moment kur investitorët kërkojnë alternativa më të diversifikuara përtej depozitave bankare apo titujve shtetërorë.
Përveç emetimeve të realizuara në tregun vendas të kapitaleve, grupi Iute ka eksperiencë disa-vjeçare me obligacione të listuara në Bursën e Frankfurtit.
Nga këndvështrimi i investitorit, obligacioni përfaqëson një alternativë investimi me normë interesi të paracaktuar dhe pagesa periodike, duke krijuar parashikueshmëri të kthimit.
Emetimi i tretë i obligacioneve nga Iute vjen në një moment kur tregu shqiptar i kapitalit mbetet ende në fazë zhvillimi, por po shfaq sinjale të qarta diversifikimi. Interesi i investitorëve për instrumente korporative tregon një maturim gradual të tregut dhe një rritje të gatishmërisë për të marrë pjesë në financimin e sektorit privat.
Kompania ka lënë të hapur edhe mundësinë që në të ardhmen të realizojë një ofertë publike, duke zgjeruar bazën e investitorëve dhe duke kontribuar në thellimin e tregut të kapitalit në Shqipëri. Duke marrë parasysh eksperiencën e Grupit Iute në bursat ndërkombëtare, një hap i tillë do të përbënte jo vetëm një sukses për kompaninë, por edhe një zhvillim domethënës për ekosistemin financiar vendas.
Emetimi i tretë me ofertë private nuk është thjesht një operacion financiar. Ai është një tregues i dyfishtë: i besimit që investitorët shqiptarë kanë tek një kompani fintech me rrënjë ndërkombëtare dhe i një tregu që po kërkon gjithnjë e më shumë instrumente moderne investimi përtej formave tradicionale të kursimit dhe investimit. /ekofin.al

