I njohur edhe si Munich Express ose Espresso Monaco, ky tren special operohet nga kompania shtetërore FS Treni Turistici Italiani. Udhëtimi zgjat plot 16 orë dhe ofron një eksperiencë të veçantë me tematikë bavareze: muzikë, valle, birra të freskëta dhe darka tradicionale. “Harroni stresin e makinës dhe ndalesat e panevojshme: me ne, argëtimi nis sapo hipni në bord,” – deklaroi kompania në një njoftim për shtyp.
Pasagjerët do të kenë mundësi të shijojnë birra në draft, ushqime të lehta tradicionale dhe muzikë tipike bavareze përpara se të flenë në kupe, vende ulëse apo dhoma gjumi. Për adhuruesit e Oktoberfest-it ofrohen kupe dyshe, teke ose edhe me katër shtretër për familjet.
Treni do të qarkullojë më 26 shtator dhe 3 tetor, duke u nisur nga stacioni Termini i Romës në orën 20:00 të së premtes dhe duke mbërritur në Mynih të shtunën në orën 14:30. Udhëtarët do të mund të kthehen me trenin e së dielës në orën 14:30, duke mbërritur në Romë herët në mëngjesin e së hënës, rreth orës 06:30. Në këtë linjë mund të hipet edhe nga qytete të tjera si Trento, Verona, Bressanone, Bolzano, Vipiteno, Fortezza, Brennero dhe Colle Isarco.
Çmimet për udhëtimin e veçantë të Munich Express gjatë Oktoberfest-it nisin nga 99 euro për drejtim, ndërsa ata që rezervojnë udhëtim vajtje-ardhje përfitojnë çmim të reduktuar prej 89 euro për segment. Rezervimet bëhen përmes platformës Railbook.
Berlin po sfidon Mynihun për Oktoberfest
Megjithëse Italia po promovon fort udhëtimin drejt festivalit në Mynih, shumë turistë këtë vit po zgjedhin të shmangin turmat e qytetit dhe po drejtohen drejt Oktoberfest-it të Berlinit.
Një studim i ri nga agjencia online Thomas Cook tregon një ndryshim të pazakontë: gjithnjë e më shumë udhëtarë po preferojnë Berlinin për shkak të kostove më të ulëta, duke shijuar të njëjtat tradita bavareze – muzikë, birra dhe atmosferë – por në një mjedis më të përballueshëm.
Megjithatë, edhe pse shmangin shpenzimet e larta për festivalin e Mynihut, vizitorët nuk po kursehen për akomodime luksoze me katër dhe pesë yje. “Klientët e Thomas Cook po tregojnë një oreks të madh për eksperienca kulturore autentike, dhe Oktoberfest është një shembull perfekt i një udhëtimi që bashkon traditën me udhëtimin,” tha Nicholas Smith, drejtor i Holidays Digital në Thomas Cook.
“Është interesante që këtë vit, ndonëse Mynihu mbetet vendlindja e festivalit, më shumë klientë tanë po zgjedhin ta festojnë në Berlin – duke shijuar të njëjtat tradita bavareze, por në një formë më të arritshme dhe më ekonomike,” shtoi ai./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

