Ka pasur pakënaqësi në rritje në destinacionet evropiane rreth përhapjes së pronave të Airbnb dhe përçarjes që kjo sjell në lagje. Në fillim të këtij viti, banorët e qyteteve duke përfshirë Romën, Firencen dhe Milanin sabotuan kutitë me kyç në shenjë proteste kundër fenomenit të pronave me qira dhe tendencës së tij për të rritur çmimet e banesave.
Tani, qeveria italiane ka sjellë një ndalim të sistemit të vetëregjistrimit (self check-in) duke përmendur “rreziqet e rendit publik dhe sigurisë”.
Kjo do të thotë se vizitorët që qëndrojnë në akomodime me qira në Itali, si Airbnb apo Booking, tani duhet të takohen personalisht me pronarët. Ndalimi i kutive të çelësave dhe tastierave u nënshkrua më 18 nëntor dhe hyri në fuqi menjëherë. Megjithatë, policia dhe autoritetet lokale sapo kanë filluar të njoftojnë platformat e qirasë dhe pronarët e pronave, sipas mediave italiane.
Masa u prezantua për të “parandaluar rreziqet e rendit publik dhe sigurisë në lidhje me strehimin e mundshëm të individëve të rrezikshëm ose të atyre që lidhen me organizata kriminale ose terroriste”, duke përfshirë festimet jubilare të 2025-ës në Romë, tha Ministria e Brendshme italiane.
Të dhënat personale dhe dokumentet e identitetit të mysafirëve duhet t’u dërgohen autoriteteve policore nga pronarët brenda 24 orëve nga check-in.
Roberto Gaultieri, kryebashkiaku i Romës, vlerësoi ndalimin si “lajm të mirë për të gjithë” dhe përshëndeti fundin e “kutive që shpërfytyrojnë rrugët dhe parandalojnë kontrollet e duhura të sigurisë”. Ai shtoi se synon të sjellë “metoda të përshtatshme ndërhyrjeje” për të hequr të gjitha këto lloj pajisjesh.
