Italia ka miratuar 165,850 kuota për hyrjen e punonjësve të huaj nga vendet jashtë Bashkimit Evropian gjatë vitit 2027, duke krijuar mundësi të reja punësimi edhe për shtetasit shqiptarë. Kuotat përfshijnë punësimin sezonal në bujqësi dhe turizëm, punësimin afatgjatë, kujdesin familjar dhe aktivitetin e pavarur.
Sipas udhëzimeve të reja të publikuara nga autoritetet italiane, faza e paraplotësimit të kërkesave do të nisë më 23 tetor 2026, ndërsa dorëzimi zyrtar i aplikimeve do të zhvillohet gjatë janarit dhe shkurtit 2027, sipas kategorive të punësimit.
Masat janë pjesë e dekretit të flukseve migratore, i njohur si Decreto Flussi, përmes të cilit qeveria italiane përcakton numrin e shtetasve të huaj që mund të hyjnë ligjërisht në vend për qëllime punësimi.
Për periudhën trevjeçare 2026–2028, Italia ka planifikuar gjithsej 497,550 hyrje për punonjësit nga vendet jashtë BE-së.
Si ndahen 165,850 kuotat e punësimit?
Sipas qarkores ndërministrore të publikuar në fillim të tetorit, kuotat për vitin 2027 ndahen në tri kategori kryesore.
89,000 kuota për punësim sezonal në sektorët e bujqësisë dhe turizmit.
76,200 kuota për punësim jo sezonal, ku përfshihen edhe 14,000 vende për sektorin e kujdesit dhe asistencës familjare.
650 kuota për punë të pavarur dhe aktivitete ekonomike individuale.
Peshën më të madhe e zë punësimi sezonal, me rreth 53.7% të kuotave totale. Punësimi jo sezonal përfaqëson rreth 46%, ndërsa pjesa e mbetur u përket aktiviteteve të pavarura.
Kjo strukturë tregon se bujqësia dhe turizmi mbeten ndër sektorët kryesorë ku Italia synon të plotësojë nevojat për fuqi punëtore përmes rekrutimit nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.
Për shtetasit shqiptarë, mundësitë lidhen veçanërisht me sektorët ku ekziston kërkesë për punonjës sezonalë, por edhe me kontratat e punësimit afatgjatë, në përputhje me kushtet dhe kuotat përkatëse.
Aplikimet nisin më 23 tetor, afati deri më 7 dhjetor
Faza e parë e procedurës do të hapet më 23 tetor 2026, në orën 09:00, dhe do të përfundojë më 7 dhjetor 2026, në orën 20:00.
Gjatë kësaj periudhe, punëdhënësit dhe subjektet e autorizuara mund të paraplotësojnë kërkesat për autorizim punësimi në portalin elektronik të Ministrisë së Brendshme italiane, të njohur si Portale Servizi ALI.
Paraplotësimi është një fazë përgatitore dhe nuk përbën ende dorëzimin përfundimtar të aplikimit.
Pas mbylljes së kësaj faze, portali do të rihapet nga data 9 deri më 13 dhjetor 2026, për të mundësuar kontrollin, korrigjimin dhe ruajtjen përfundimtare të kërkesave të përgatitura më parë. Gjatë kësaj periudhe shtesë nuk do të lejohet hapja e aplikimeve të reja, por vetëm përfundimi i atyre ekzistuese.
Çfarë duhet të dinë shqiptarët që kërkojnë punë në Itali?
Procedura e Decreto Flussi mbështetet te kërkesa e punëdhënësit italian për të punësuar një shtetas nga një vend jashtë Bashkimit Evropian.
Kjo do të thotë se një qytetar shqiptar nuk përfiton automatikisht nga kuotat e shpallura. Për punësimin sipas kësaj procedure nevojitet një punëdhënës në Itali, i cili plotëson kushtet ligjore dhe paraqet kërkesën për autorizimin përkatës.
Për bujqësinë përdoret formulari C-Stag agricolo, për turizmin C-Stag turistico, për punësimin jo sezonal B2020, ndërsa për asistencën familjare formulari A-bis.
Përfshirja në kuotat e miratuara nuk garanton automatikisht marrjen e vizës apo të lejes së qëndrimit, pasi kërkesat i nënshtrohen verifikimeve dhe procedurave të parashikuara nga legjislacioni italian.
Ndryshojnë afatet për punëdhënësit dhe kontratat
Një tjetër element i rëndësishëm i rregullave të reja lidhet me detyrimet e punëdhënësve italianë.
Afati brenda të cilit punëdhënësi duhet të konfirmojë kërkesën për autorizim punësimi, pas njoftimit për përfundimin e verifikimeve të vizës, është zgjatur në 15 ditë.
Nëse konfirmimi nuk kryhet brenda këtij afati, kërkesa konsiderohet e refuzuar dhe autorizimi, nëse është lëshuar, revokohet.
Gjithashtu, punëdhënësi ka detyrimin të informojë në kohë punonjësin e huaj për komunikimet që merr lidhur me procedurën.
Një tjetër ndryshim lidhet me nënshkrimin e kontratës së qëndrimit. Afati është zgjatur nga 8 në 15 ditë pas hyrjes së punonjësit në territorin italian.
Brenda kësaj periudhe, punëdhënësi duhet ta transmetojë elektronikisht kontratën pranë autoriteteve kompetente, për të vijuar procedurat e pajisjes me leje qëndrimi. /ekofin.al
