Sezoni i skive në Itali është hapur me një rregull të ri dhe të gjerë sigurie. Që prej 1 nëntorit 2025, kaskat e skive janë të detyrueshme për të gjithë në pistat e vendit, nga skiatorët dhe snowboard-erët te përdoruesit e sanave dhe vizitorët ditorë ndërkufitarë.
Rregulli kërkon përdorimin e një kaskë të certifikuar CE – shenja “Conformité Européenne” që tregon se produkti përmbush standardet e BE-së për shëndetin, sigurinë dhe mjedisin – një masë që synon të ulë lëndimet serioze të kokës.
“Besojmë se 95 për qind e njerëzve tashmë mbajnë kaska,” tha Diego Clara nga Dolomiti Superski, zona rajonale e skive që përfshin Cortina d’Ampezzo, vendi ku do të zhvillohen Lojërat Olimpike Dimërore 2026.
Italia e ka zbatuar gradualisht këtë detyrim vitet e fundit, fillimisht për nën 14 vjeç, më pas për nën 18 vjeç. Ky është sezoni i parë ku rregulli zbatohet për të gjitha moshat. Shkelësit mund të përballen me gjoba deri në 200 euro ose pezullim të abonetës së skiimit deri në tre ditë, dhe autoritetet thonë se nuk ka asnjë justifikim.
Ku tjetër janë të detyrueshme kaskat e skive?
Asnjë vend tjetër nuk i detyron kaskat për të gjithë skiatorët, megjithëse disa burime e përmendin si ligj në Korenë e Veriut – një krahasim i papritur për Italinë.
Megjithatë, masa është e detyrueshme për skiatorët e vegjël në shumë vende.
Në Kroaci dhe Slloveni, fëmijët deri në 14 vjeç duhet të mbajnë kaska në pistë. Austria ka rregulla të ngjashme për skiatorët nën 15 vjeç në shumicën e landeve të njohura për sportet dimërore, përfshirë Salzburgun dhe Stiria. Në Poloni, skiatorët nën 16 vjeç gjithashtu duhet të mbajnë kaska.
Mosrespektimi i rregullit sjell gjoba në të gjitha këto destinacione.
Cilat rregulla të tjera duhet të kenë parasysh vizitorët?
Italia ka dhe rregulla të tjera sigurie që vizitorët duhet t’i dinë, përfshirë detyrimin për sigurim publik të përgjegjësisë. Ata që nuk mbajnë kaska ose skiatojnë pa sigurim përballen me gjoba deri në 200 euro në vend. Policia gjithashtu mund të konfiskojë abonetën e skive.
Italia kufizon edhe konsumimin e alkoolit, duke zbatuar një limit të përqendrimit të alkoolit në gjak prej 0.50 për qind për skiatorët dhe ka tolerancë zero ndaj drogës. Madje mund të keni telashe edhe nëse hani në teleferikë ose në zonat e imbarkimit.
Edhe në vende të tjera të Evropës, destinacionet e skive kanë ndërmarrë masa të ngjashme për shëndetin dhe sigurinë.
Në vitin 2022, resorti francez Les Gets ndaloi duhanpirjen në të gjithë zonën e skive. Ligji mund të shtrihet edhe në resortet e tjera franceze, pas ndalimit kombëtar të duhanpirjes në hapësirat publike këtë verë, sipas Ski Racing, një botim i dedikuar sporteve dimërore.
Ndoshta rregulli më i pazakontë i lidhur me skitë është në Ischgl, Austri. Që prej vitit 2016, mbajtja e çizmeve të skive në resort nga ora 20:00 deri në 06:00 mund të sjellë gjoba deri në 2,000 euro.
Rregulli u vendos për të reduktuar ndotjen akustike dhe për të parandaluar aksidentet, sipas autoriteteve. Ai zbatohet gjithashtu për personat që mbajnë ski, snowboard ose shkopinj.
Për shumicën, ligje të tilla nuk paraqesin problem – përfshirë edhe kaskat e detyrueshme.
Në SHBA, për shembull, përqindja e skiatorëve dhe snowboarderëve që mbajnë kaska u rrit nga 25 për qind në sezonin 2002–2003 në 90 për qind në sezonin 2023–2024, sipas Shoqatës Kombëtare të Zonave të Skive (NSAA).
Vlerësimet në Evropë janë të paktën në të njëjtin nivel. Siç theksoi Clara, shumica dërrmuese tashmë skion me pajisje mbrojtëse të kokës.
Për pakicën që nuk e bën këtë, rregulli i ri i Italisë nuk lë vend për ankesa. Por lë vend për një kaskë në valixhe./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
