Islanda ka votuar kundër rifillimit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, sipas raportimeve lokale, pas një referendumi ku rezultati ndryshoi disa herë gjatë natës.
Kampi i “Jo”-së në Islandë ka fituar me një diferencë të ngushtë referendumin për rifillimin ose jo të negociatave të pezulluara të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sipas transmetuesit publik RUV.
Një zonë zgjedhore ende duhet të konfirmojë rezultatin, por RUV raportoi: “Tashmë është e qartë se Islanda ka votuar kundër rifillimit të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.”
Sipas rezultatit të deritanishëm, 52.5% votuan “Jo” dhe 47.5% “Po”, në përgjigje të pyetjes: “A duhet Islanda të rifillojë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian?”
Rezultatet sipas zonave zgjedhore, në rendin e shpalljes, ishin:
Reykjavík North: Po 57.5% – Jo 42.5%
Reykjavík South: Po 54.5% – Jo 45.5%
South constituency: Po 39.5% – Jo 60.5%
Northwest constituency: Po 37.1% – Jo 62.9%
Northeast constituency: Po 38.8% – Jo 61.2%
Southwest constituency: rezultati ende nuk ishte konfirmuar.
Southwest, zona e dytë më e madhe nga gjashtë zonat zgjedhore të Islandës, që përfshin qytetet përreth kryeqytetit si Garðabær, Hafnarfjörður, Kópavogur dhe Mosfellsbær dhe ka rreth 79,000 votues të regjistruar, mbeti një nga betejat më të ngushta të natës.
Në numërimet e para, rezultati në këtë zonë ishte plotësisht i barabartë, me nga 9,900 vota për “Po” dhe “Jo”. Por me avancimin e numërimit, kampi i “Jo”-së kaloi lehtësisht në avantazh: pas numërimit të 32,800 fletëve të votimit, “Jo” kryesonte me 51.5%.
Që kampi i “Po”-së të fitonte, do t’i nevojitej një diferencë prej 9,599 votash dhe RUV vlerësoi se ishte “e pamundur që rezultati përfundimtar t’i sillte kampit ‘Po’ një rikuperim kaq të madh, kundër tendencës së gjithë mbrëmjes”.
Rezultati “Jo” pritet ta largojë debatin për anëtarësimin në BE nga politika islandeze për të paktën edhe dy vjet.
Vendi me rreth 400,000 banorë kërkoi për herë të parë anëtarësimin në BE pas krizës financiare të vitit 2009, e cila e çoi ekonominë pranë kolapsit, por negociatat e anëtarësimit u ndërprenë në vitin 2013, pasi në pushtet erdhi një koalicion euroskeptik.
Qeveria aktuale e drejtuar nga socialdemokratët e kryeministres Kristrún Frostadóttir e riktheu çështjen këtë vit, duke argumentuar se klima ndërkombëtare më e paqëndrueshme e bënte të arsyeshme t’u kërkohej votuesve të vendosnin nëse Islanda duhet të kërkonte lidhje më të ngushta me BE-në.
Megjithatë, marrëdhënia e Islandës me Brukselin nuk do të ndryshojë në mënyrë thelbësore nga rezultati. Vendi tashmë merr pjesë në Zonën Ekonomike Evropiane dhe në zonën Schengen pa kontrolle pasaportash, dhe të dyja marrëveshjet mbeten në fuqi.
Referendumi në vetvete nuk ka fuqi ligjore detyruese, por qeveria është zotuar të respektojë vendimin e islandezëve.
Frostadóttir, ministrja e Jashtme Þorgerður Katrín Gunnarsdóttir dhe ministrja e Arsimit dhe Fëmijëve Inga Sæland kanë thirrur një konferencë për shtyp në orën 15:00 CET, ku drejtuesit politikë do të diskutojnë rezultatin dhe do t’u përgjigjen pyetjeve të medias.
Si u zhvillua nata e numërimit
Qendrat e votimit u mbyllën në orën 22:00 me orën lokale, ose 00:00 CET, dhe rezultatet e para të pjesshme, të ardhura kryesisht nga kryeqyteti Reykjavík, tregonin kampin e “Po”-së në avantazh të ndjeshëm, me afro 58%.
Mbështetësit e anëtarësimit në BE shfaqën optimizëm të kujdesshëm gjatë orëve të para, duke iu referuar pjesëmarrjes së lartë në zonat urbane.
Por pasi zonat rurale dhe bregdetare nisën të raportonin rezultatet pas mesnate, situata ndryshoi ndjeshëm. Komunitetet e peshkimit, ku kundërshtimi ndaj rregullave të BE-së për ndarjen e kuotave të peshkimit ka qenë i fortë prej më shumë se një dekade, dhanë shumica mbi 65% për “Jo”-në në disa zona.
Deri në orën 02:00 CET, rezultati kombëtar ishte ngushtuar pothuajse në barazim.
Pika e kthesës erdhi rreth orës 07:00 CET, kur rajoni bujqësor verior, i konsideruar tradicionalisht si tregues i rëndësishëm i tendencës kombëtare, raportoi një rezultat 60 me 40 në favor të “Jo”-së.
Kjo e kaloi për herë të parë kampin kundër negociatave në avantazh në nivel kombëtar dhe, që nga ai moment, epërsia e “Jo”-së nuk u përmbys më plotësisht./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
