Këshilli i Investimeve të Huaja në Rumani paralajmëroi të enjten e kaluar se akti i menjëhershëm i emergjencës, i cili paraqiste një amnisti të re tatimore, mund të rezultojë në një fitim afatshkurtër në mbledhjen e detyrimeve, por mund të dëmtojë pagimin vullnetar të taksave dhe tatimeve dhe të krijojë paqartësi afatgjatë për tatimpaguesit e rregullt.
Këshilli kritikoi gjithashtu prezantimin e nxituar të aministisë fiskale, duke qenë se zbatimi i saj nuk lejonte më shumë se 24 orë në dispozicion për komente nga palët e interesuara, duke penguar në këtë mënyrë konsultimin transparent dhe duke dëmtuar klimën e investimeve, thuhej në njoftimin për shtyp.
“Mosrespektimi i afateve të caktuara për konsultimin publik në një proces legjislativ është një sinjal negativ, i cili rrit shkallën e paqartësisë për investimet e ardhshme në Rumani”, thuhet në deklaratën e Këshillit të Investimeve të Huaja (FIC).
Sipas aktit të emergjencës, të publikuar në Fletoren Zyrtare më 6 shtator, individët, kompanitë dhe institucionet shtetërore me debi të konsiderueshme deri në datën 31 gusht, do të përfitojnë nga mospagimi i gjobave dhe interesave, me kusht që të kenë paguar principalin e detyrimit deri në 25 nëntor 2024.
Nga mospagimi i gjobave dhe interesave mund të përfitojnë rreth 330,735 kompani dhe institucione shtetërore, u shpreh ministri i Financave në një konferencë për shtyp javën e kaluar. Kompanive me borxhe jo të konsiderueshme për vitin fiskal 2024 do t’u njihet një pakësim i detyrimeve të tyre deri në 3% të tatimit të fitimit për vitin 2024. Për ndërmarrjet e vogla, pakësimi do të bëhet deri në masën 3% e tatimit vjetor të të ardhurave për vitin 2024.
Përveç fshirjes së interesit dhe gjobave, debitorët individë mund të përfitojnë amnisti të pjesshme mbi principalin e borxhit të tyre, duke e ulur atë nga 25% në 50% në bazë të shumës së borxhit. Për debitorët me detyrime tatimore të papaguara deri në 5,000 lei deri më 31 gusht 2024, do t’u falen 50% të detyrimeve të tyre nëse e paguajnë gjysmën deri më 25 nëntor 2024. Debitorët me detyrime mbi 5,000 lei mund të përfitojnë falje në masën 25% nëse paguajnë 75% të tyre. Sipas ministrisë së Financave nga amnistia mund përfitojnë deri në 848,705 tatimpagues.
FIC rekomandoi se politikat fiskale të Rumanisë duhet të reflektojnë qëndrueshmëri dhe parashikueshmëri, duke shpërblyer tatimpaguesit e rregullt përkundrejt atyre që nuk përmbushin detyrimet në kohë. Gjatë vitit të kaluar qeveria rumune kaloi nga dënimet e ashpra për gabimet e vogla administrative, të cilat nuk ndikonin në mbledhjen tatimore, në fshirjen e dënimeve për pagimin me vonesë të taksave dhe tatimeve.
Sipas FIC, zbatueshmëria e një amnistie tatimore duhet të kushtëzohet nga ecuria e sjelljes së tatimpaguesve që kanë qenë subjekte përfitues të masave më të fundit të ngjashme dhe kanë përfituar nga fshirja e detyrimeve tatimore ndihmëse ose amnistia të jetë e revokueshme nëse tatimpaguesit që përfitojnë prej saj nuk tregojnë një sjellje të përmirësuar gjatë një periudhe prej të paktën 3 deri në 5 vjet.
Amnistia fiskale synon të nxisë mbledhjen e të ardhurave nga taksat, pasi buxheti i shtetit aktualisht po përballet me 71.8 miliardë lei (16.027 miliardë dollarë/14.443 miliardë euro) të arkëtueshme të vonuara, ekuivalente me 4.06% të produktit të brendshëm bruto (PBB) të vendit, shpjegoi Ministria e Financave javën e kaluar.
Rumania, në përputhje me procedurën e deficitit të tepruar të BE-së që nga viti 2020, i propozoi Komisionit Evropian muajin e kaluar një plan 7-vjeçar për të ulur deficitin buxhetor nën 3% të PBB-së. Kryeministri Marcel Ciolacu përmendi nevojën për të bashkëfinancuar Planin Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Rezistencës si arsye për të kërkuar këtë afat kohor të zgjatur. /Përgatiti Ekofin.al.
