Raporti i këtij viti i Klimës së Biznesit të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit përmban kritika të forta në lidhje me klimën e të bërit biznes në Shqipëri. Raporti përmend nivelin e lartë të korrupsionit, pastrimin e parave, ndryshimet e shpeshta fiskale, zbatimin e dobët të kontratave, etj. Gjithashtu, përmenden shqetësimet e komunitetit të biznesit se fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni po shtrembërojnë konkurrencën në treg.
Në raport theksohet se “Shqipëria ka një potencial të madh ekonomik, një kuadër ligjor të shëndoshë dhe ka bërë progres në kufizimin e korrupsionit në nivele të ulëta duke digjitalizuar shërbimet publike si për qytetarët ashtu edhe për bizneset. Megjithatë, investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin e vazhdueshëm, duke përfshirë atë në sektorin publik, gjyqësor, prokurimet publike, konkurrencën e pandershme dhe të shtrembëruar, ekonominë e madhe informale, pastrimin e parave, ndryshimet e shpeshta në legjislacionin fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave si sfida të vazhdueshme për investimet dhe biznesin në Shqipëri.”
Në dokument theksohet se Shqipëria ka një sektor të madh informal dhe aktivitete të pastrimit të parave. Task Forca e Veprimit Financiar për Parandalimin e Pastrimit të Parave (FATF) e përfshiu Shqipërinë në listën e saj gri në vitin 2020 dhe vendi vazhdon të jetë në këtë listë për vitin 2023 për shkak të mangësive strategjike në adresimin e shqetësimeve të pastrimit të parave. Komuniteti i biznesit raporton se fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembëron konkurrencën në treg. Akuzat për korrupsion janë të zakonshme dhe investitorët shpesh raportojnë se ata bëhen objektiv i zhvatjes si nga administrata publike, ashtu edhe nga media dhe grupet kriminale.
