Investimet turke në Shqipëri arritën në rreth 111 milionë euro gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, sipas ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj. Në Forumin e Biznesit Ballkanik, të zhvilluar në Tiranë, ministrja kërkoi që interesi i kompanive turke të përkthehet në më shumë investime të drejtpërdrejta në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare.
“Ne do t’i krijojmë kushtet, por duhet që edhe biznesi të jetë më aktiv. Uroj që interesi i kompanive turke në Shqipëri të mos jetë vetëm për të kontraktuar apo për të shitur, por edhe për të investuar”, u shpreh Ibrahimaj.
Forumi, i organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri–Turqi (ATTSO), mblodhi përfaqësues të bizneseve dhe dhomave të tregtisë nga Shqipëria, Turqia, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Aktiviteti synoi krijimin e lidhjeve të reja tregtare dhe nxitjen e investimeve në rajon.
Turqia është një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë, duke përfaqësuar 7,3% të volumit të përgjithshëm tregtar të vendit në vitin 2025. Megjithatë, shkëmbimet mes dy vendeve vijojnë të dominohen nga importet. Sipas ministres, kjo e bën të nevojshme rritjen e pranisë së produkteve shqiptare në tregun turk, krahas zgjerimit të bashkëpunimit në investime.
Ibrahimaj e lidhi tërheqjen e investimeve edhe me bashkëpunimin mes ekonomive të Ballkanit Perëndimor. Ajo theksoi se madhësia e kufizuar e tregjeve kërkon bashkimin e kapaciteteve dhe shfrytëzimin e avantazheve konkurruese të secilit vend, për ta bërë rajonin më tërheqës për investitorët.
“Ne, në Ballkanin Perëndimor, jemi ekonomi të vogla dhe vetëm duke bashkëpunuar, duke investuar bashkërisht dhe duke shfrytëzuar kapacitetet tona aty ku secili ka avantazhe konkurruese, mund të përthithim më shumë investime dhe të nxisim tregtinë”, deklaroi ministrja.
Në këtë kuadër, zhvillimi i tregut të përbashkët rajonal u cilësua si një hap i rëndësishëm për uljen e barrierave, shkurtimin e kohës së të bërit biznes dhe rritjen e konkurrueshmërisë. Sipas Ibrahimajt, ky proces u shërben vendeve të Ballkanit Perëndimor edhe si përgatitje për integrimin në tregun e përbashkët evropian.
Për marrëdhëniet ekonomike Shqipëri–Turqi, ministrja shprehu pritshmërinë që puna e komisionit të përbashkët të konkretizohet brenda këtij viti me nisma dhe plane konkrete, që do të mbështesin zgjerimin e tregtisë dhe investimeve mes dy vendeve.
