Transporti ajror po konsolidohet si një nga sektorët me rritjen më të shpejtë, i mbështetur nga zgjerimi i lidhjeve ndërkombëtare, zhvillimi i turizmit dhe investimet në infrastrukturën aeroportuale. Gjatë vitit 2025, numri i pasagjerëve që udhëtuan përmes rrugëve ajrore arriti në 11.64 milionë, duke shënuar një tjetër rekord dhe duke konfirmuar zgjerimin e ndjeshëm të këtij tregu.
Sipas publikimit më të fundit të Institutit të Statistikave, “Transporti në Shifra 2025”, numri i pasagjerëve të hyrë dhe të dalë nëpërmjet transportit ajror u rrit me 8.7% krahasuar me vitin 2024.
Në terma absolutë, gjatë vitit të kaluar u regjistruan 931 mijë lëvizje pasagjerësh më shumë se një vit më parë, ndërsa krahasuar me vitin 2023, rritja arrin në rreth 4.36 milionë, ose afro 60%.
Të dhënat tregojnë se në vitin 2023 transporti ajror numëronte 7.28 milionë pasagjerë, shifër që u rrit në 10.71 milionë në vitin 2024 dhe në 11.64 milionë në vitin 2025.
Rritja ka qenë e balancuar mes hyrjeve dhe daljeve. Sipas INSTAT, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 5.82 milionë hyrje dhe po kaq dalje përmes transportit ajror. Hyrjet u rritën me 9%, ndërsa daljet me 8.4% në krahasim me vitin e mëparshëm.
Në qendër të këtij zhvillimi qëndron Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA), infrastruktura kryesore aeroportuale e vendit, e cila ka përballuar rritjen e fortë të kërkesës për udhëtime ajrore.
Investimet në TIA, përgjigje ndaj rritjes së trafikut
Rritja e numrit të pasagjerëve ka shtuar nevojën për zgjerimin e kapaciteteve pritëse dhe përpunuese të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, si dhe për modernizimin e infrastrukturës së tij.
Investimet në zgjerimin e terminalit, përmirësimin e hapësirave të shërbimit dhe zhvillimin e kapaciteteve operacionale janë veçanërisht të rëndësishme për përballimin e fluksit në rritje, sidomos gjatë sezonit turistik.
Zgjerimi i infrastrukturës aeroportuale synon të përmirësojë përvojën e pasagjerëve, të reduktojë kohën e pritjes dhe të krijojë mundësi për shtimin e frekuencave dhe destinacioneve të fluturimeve.
Në këtë drejtim, zhvillimi i TIA-s ka rëndësi jo vetëm për transportin, por edhe për konkurrueshmërinë e Shqipërisë si destinacion turistik dhe për lidhjen e ekonomisë shqiptare me tregjet ndërkombëtare.
Sipas të dhënave të publikuara nga vetë TIA, që prej marrjes së administrimit nga Grupi Kastrati në dhjetor 2020, janë investuar mbi 100 milionë euro në infrastrukturën dhe operimin e aeroportit.
Investimet kanë sjellë trefishimin e sipërfaqes së terminalit të pasagjerëve, shtimin e sporteleve të check-in-it dhe portave të imbarkimit, si dhe zgjatjen e pistës në 3,000 metra.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është zgjerimi i kapaciteteve të parkimit të avionëve, nga 7 në 31 pozicione, duke krijuar kushte për përballimin e një numri më të madh fluturimesh.
Modernizimi ka përfshirë edhe teknologjinë, me sisteme biometrike për kontrollin kufitar, pajisje të avancuara sigurie dhe përmirësime në menaxhimin e fluksit të pasagjerëve.
Gjatë shtatorit 2026, aeroporti njoftoi një investim tjetër prej 2 milionë eurosh për blerjen e 46 mjeteve dhe pajisjeve të reja për operimet në pistë. Këto përfshijnë mjete për transportin e bagazheve, shkallë për pasagjerët dhe pajisje për shërbimin e avionëve në tokë.
Rriten edhe fluturimet, mbi 70 mijë ulje-ngritje në vit
Zgjerimi i transportit ajror nuk pasqyrohet vetëm në numrin e pasagjerëve, por edhe në intensitetin e lëvizjeve të avionëve.
Sipas INSTAT, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 70,124 ulje-ngritje avionësh, nga 68,578 në vitin 2024 dhe 51,050 në vitin 2023.
Kjo përfaqëson një rritje prej 2.3% në krahasim me vitin e mëparshëm dhe 37.4% kundrejt vitit 2023.
Ndërkohë, në hapësirën ajrore shqiptare janë regjistruar 404,399 lëvizje avionësh, përfshirë mbikalimet dhe ulje-ngritjet. Vetëm mbikalimet arritën në 334,275, me rritje 9.7% në raport me vitin 2024.
Në vitin 2025, sipas INSTAT, në transportin ajror operuan 32 shoqëri ajrore, prej të cilave 31 të huaja dhe një shqiptare.
Kompanitë ajrore zgjerojnë praninë, TIA synon 13.3 milionë pasagjerë në 2026
Rritja e kapaciteteve të aeroportit është shoqëruar edhe me zgjerimin e aktivitetit të kompanive ajrore, veçanërisht operatorëve me kosto të ulët.
Ryanair njoftoi për vitin 2026 zgjerimin e bazës në Tiranë me avionin e katërt, duke e çuar vlerën e deklaruar të investimit në avionë në 400 milionë dollarë, si dhe shtimin e destinacioneve të reja.
Edhe Wizz Air ka vijuar zgjerimin e pranisë së saj, me shtimin e avionëve të bazuar në Tiranë dhe hapjen e linjave të reja drejt qyteteve evropiane.
Sipas projeksioneve të publikuara nga TIA, aeroporti pritet të arrijë rreth 13.3 milionë pasagjerë gjatë vitit 2026, çka do të përfaqësonte një tjetër rritje dyshifrore në raport me vitin 2025.
Aktualisht, sipas të dhënave të aeroportit, Tirana ofron lidhje direkte me rreth 120 destinacione përmes 60 kompanive ajrore partnere.
Transporti ajror, ndikim gjithnjë e më i madh në ekonomi
Rritja e transportit ajror ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e turizmit, shërbimeve, hotelerisë dhe aktiviteteve të tjera ekonomike që lidhen me lëvizjen ndërkombëtare të njerëzve.
Zgjerimi i rrjetit të fluturimeve krijon mundësi për tërheqjen e më shumë vizitorëve, por edhe për forcimin e lidhjeve tregtare dhe ekonomike me vendet evropiane.
Nga ana tjetër, rritja e vazhdueshme e numrit të pasagjerëve e vendos Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës përballë nevojës për investime të mëtejshme në kapacitete, teknologji dhe cilësinë e shërbimeve. /ekofin.al
