Në 2024 janë blerë dhe shitur bono thesari dhe obligacione në shuma tepër më të larta se në 2023. Pavarësisht se numri i transaksioneve ka pësuar ulje, volumi i tyre rezulton me rritje. Kjo tregon se vitin e shkuar, vlera e investimeve është shumëfishuar, ndërkohë që edhe më pak qytetarë janë tërhequr nga investimi përpara përfundimit të afatit.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, rreth 50% e transaksioneve të realizuara në 2024, kanë qenë blerje direkte për herë të parë e titujve qeveritarë përmes ankandeve të organizuara nga Banka e Shqipërisë, pra në tregun primar, ndërsa vetëm 37.6% e transaksioneve, kanë qenë kthime të shumës fillestare së parave të investuara dhe interesave të tyre, si rezultat i maturimit, pra përfundimit të afatit.
Pa përfshirë interesat, gjatë 2024 janë maturuar 40 miliardë lekë investime në bono thesari dhe obligacione të individëve dhe klientëve të tjerë.
Në tregun sekondar të titujve të qeverisë, që i referohet shitjes së titujve ndërmjet bankave, fondeve dhe investitorëve të tjerë individualë, pasi janë blerë fillimisht nga Banka e Shqipërisë dhe para përfundimit të afatit të tyre, 64% kanë qenë obligacione dhe rreth 36% bono thesari.
Nëse i referohemi numrit të transaksioneve, gati 82% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të titujve të qeverisë jashtë burse janë në bono thesari. Rreth 97% e veprimeve janë realizuar nga investitorë individualë.
Gjatë vitit të kaluar, janë blerë tituj qeveritarë në vlerën 10 miliardë lekë nga bankat dhe fondet e investimeve, të cilat më pas i janë shitur investitorëve individualë, pra qytetarëve, apo bizneseve. Vëllimi i transaksioneve të këtij lloji ka pasur një rritje me 5.2 miliardë lekë ose 111.65% krahasuar me vitin 2023.
Më pak qytetarë kanë bërë dalje nga investimi në 2024. Statistikat zyrtare tregojnë se shitja e titujve qeveritarë nga investitorët individualë përpara përfundimit të afatit dhe blerja më pas nga bankat, apo fondet e investimeve, ka pasur një ulje prej 554 milionë lekë ose 17.50%.
Obligacionet janë instrumente afatgjata borxhi që variojnë nga 2 deri në 20 vjet, ndërsa bonot e thesarit janë instrumente afatshkurtra me afat 3, 6 dhe 12 muaj.
Për të investuar në bono thesari dhe obligacione, qytetarët mund të marrin pjesë në mënyrë direkte në akandet e Bankës së Shqipërisë ose të investojnë në mënyrë indirekte përmes fondeve të investimeve, të pensioneve dhe institucioneve të tjera të autorizuara për investim në këto instrumente. /tv scan