Ministria e Financave realizoi sot një rihapje të ankandit të zhvilluar në fund të janarit të këtij viti, kur testoi për herë të parë obligacionet 20-vjeçare. Ndryshe nga ankandi i parë, këtë herë, shuma e shpallur ishte 1 miliard lekë.
Kërkesa e investitorëve ishte sërish e lartë. Kështu nga 1 miliardë të shpallura në fillim të emetimit, oferta arriti në 2.66 miliardë lekë, duke sjellë për pasojë edhe një rritje të vlerës totale të emetuar në 1.15 miliardë.
Pikërisht kjo ofertë e lartë, e shpjeguar në një “uri” të investitorëve për obligacione afatgjata, uli yieldin në 6.15% nga 6.78% që ishte në ankandin e parë. Nga 27 kërkesa konkurruese që u paraqitën në ankand, në fund u pranuan vetëm 8 nga Ministria e Financave.
Tashmë, ankandi i rradhës për obligacionet 20-vjeçare parashikohet në 10 qershor, që do të jetë një ankand i ri, me rihapjen në shtator. Në ankandin e qershorit, shuma e shpallur parashikohet të jetë më e madhja për këtë vit, 2 miliardë lekë.
Ankandet e obligacioneve afatgjata janë instrumente të vlerësuara si shumë të favorshme për investitorët institucionale, për shoqëritë administruese, sidomos ato që merren me menaxhimin e fondeve të pensionit. Realizimi i ankandeve 20-vjeçare për herë të parë këtë vit erdhi pikërisht pas kërkesave të vazhdueshme të këtyre aktorëve.
Pjesëmarrja në ankandet e obligacioneve realizohet përmes bankave tregtare që disponojnë licencën e shoqërisë komisionere, akorduar nga AMF. Këtë shërbim në vend e ofrojnë OTP Bank Albania, Intesa Sanpaolo Bank, Credins Bank, ABI Bank, BKT, Raiffeisen Bank, Tirana Bank, Fibank dhe Union Bank.
Pjesëmarrja në ankandet e obligacioneve mund të bëhet nëpërmjet bankave tregtare të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) si shoqëri komisionere për investimin në tituj. Bankat e licencuara për këtë shërbim aktualisht janë ABI Bank, BKT, Credins Bank, Fibank, Intesa Sanpaolo Bank, OTP Bank, Raiffeisen Bank, Tirana Bank dhe Union Bank. /ekofin.al

