Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në shkollat shqiptare po merr tashmë një kornizë të strukturuar, me rregulla që përcaktojnë se si mësuesit dhe nxënësit mund të përdorin mjete si ChatGPT dhe platforma të tjera të IA-së, por edhe kufijtë që duhet të respektohen në detyra, vlerësim, mbrojtjen e të dhënave personale dhe shmangien e plagjiaturës.
Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP) ka hartuar “Udhëzuesin për përdorimin etik të Inteligjencës Artificiale përmes SmartLab në të gjitha lëndët”, një dokument prej 187 faqesh që synon të krijojë një kornizë praktike për përdorimin etik, të sigurt dhe efikas të IA-së, veçanërisht Inteligjencës Artificiale Gjenerative, në arsimin parauniversitar.
Qasja e dokumentit nuk është ndalimi i Inteligjencës Artificiale në shkollë, por integrimi i saj në procesin mësimor duke vendosur në qendër një parim: IA-ja duhet të mbështesë mësuesin dhe nxënësin dhe jo të zëvendësojë aftësitë njerëzore. Për mësuesit, teknologjia shihet si ndihmë për planifikimin e mësimit, krijimin e materialeve, personalizimin e procesit të të nxënit, vlerësimin dhe zhvillimin profesional. Për nxënësit mund të përdoret për kërkim, zhvillimin e aftësive analitike dhe projekte, por vetëm nëse përdorimi është etik, transparent dhe i verifikueshëm.
Një nga çështjet më të rëndësishme që rregullon udhëzuesi lidhet me detyrat dhe projektet e nxënësve. Përdorimi i IA-së nuk konsiderohet automatikisht i papranueshëm, por nxënësi duhet të deklarojë kur dhe si e ka përdorur atë. Dokumenti kërkon që shkollat t’u shpjegojnë nxënësve se si deklarohet përdorimi i Inteligjencës Artificiale në detyra dhe projekte dhe ku kalon kufiri mes përdorimit të pranueshëm dhe plagjiaturës apo përdorimit të pandershëm.
Kjo do të thotë se IA-ja mund të përdoret për të marrë ide, për të organizuar një material, për të përmirësuar një tekst apo për të ndihmuar në procesin e të nxënit, por jo për t’i dorëzuar mësuesit si punë personale një material të prodhuar në thelb nga Inteligjenca Artificiale.
Udhëzuesi kërkon gjithashtu që përgjigjet e IA-së të mos trajtohen si burim i padiskutueshëm informacioni. Nxënësit duhet të mësohen të kontrollojnë informacionin dhe ta krahasojnë atë me burime të besueshme. Kjo lidhet edhe me faktin se sistemet e Inteligjencës Artificiale mund të prodhojnë informacione të pasakta, të paplota ose të njëanshme.
Një vijë e kuqe vendoset te të dhënat personale. Nxënësit nuk duhet të fusin në platformat e IA-së të dhëna personale, fotografi, informacione për shokët, materiale të ndjeshme apo përmbajtje që mund të cenojë persona të tjerë. Përpara përdorimit të një platforme, mësuesi duhet të sqarojë çfarë lejohet dhe çfarë jo, ndërsa përdorimi gjatë mësimit duhet të jetë i mbikëqyrur.
Dokumenti shkon më tej duke kërkuar që mësuesit të kontrollojnë kushtet e përdorimit të platformave, politikat e privatësisë, kufizimet e moshës dhe mënyrën se si ruhen të dhënat. Nëse këto elemente nuk janë të qarta, rekomandimi është që platforma të mos përdoret drejtpërdrejt me nxënësit.
Një tjetër element i rëndësishëm është vlerësimi. Inteligjenca Artificiale mund ta ndihmojë mësuesin në hartimin e testeve, ushtrimeve apo kritereve të vlerësimit, por vendimi përfundimtar nuk duhet t’i delegohet teknologjisë. Në shembullin e matematikës, udhëzuesi rekomandon përdorimin e IA-së për shpjegimin e koncepteve, krijimin e ushtrimeve, detyrat e diferencuara dhe hartimin e situatave problemore. Në anën tjetër, kërkon të shmangen përgjigjet pa arsyetim, kopjimi i zgjidhjeve, vlerësimi automatik pa verifikim, besimi i verbër te përgjigjet e IA-së dhe zëvendësimi i rolit të mësuesit.
Udhëzuesi nuk kufizohet vetëm te lëndët teknologjike. Inteligjenca Artificiale parashikohet të integrohet në gjuhë dhe komunikim, matematikë, fizikë, biologji, kimi, histori, gjeografi, TIK dhe baza inxhinierike, arte, si edhe edukim fizik, sporte dhe shëndet. Dokumenti përmban shembuj praktikë për përdorimin e teknologjisë në secilën prej këtyre fushave.
Për nxënësit, një nga mesazhet kryesore është që IA-ja të mos kthehet në mjet për çdo detyrë apo pyetje. Udhëzuesi kërkon ruajtjen e aftësisë së nxënësit për të menduar vetë, për të bashkëpunuar me shokët, për t’iu drejtuar mësuesit dhe për të përdorur burime të ndryshme informacioni.
Përgjegjësi të reja vendosen edhe mbi vetë shkollat. Integrimi i IA-së kërkon politika institucionale, trajnim dhe mbështetje për mësuesit, si edhe ndërgjegjësim të nxënësve dhe prindërve. Këta të fundit duhet të informohen për rreziqet dhe mundësitë e teknologjisë, rregullat që ka vendosur shkolla dhe mënyrën se si duhet t’i orientojnë fëmijët edhe kur Inteligjenca Artificiale përdoret jashtë mjediseve shkollore.
Në pjesën praktike, udhëzuesi orienton mësuesit edhe drejt një sërë platformash të Inteligjencës Artificiale. Mes tyre renditen ChatGPT, Google Gemini/Gemini for Education, Microsoft Copilot, Canva AI/Magic Studio, Khanmigo, Diffit, MagicSchool AI, Eduaide.AI, Wayground/Quizizz, Curipod dhe Brisk Teaching. Lista, megjithatë, nuk përbën detyrim për përdorimin e këtyre platformave, por paraqitet si orientim për mësuesit.
Në thelb, dokumenti institucionalizon një realitet që tashmë ka hyrë në jetën e nxënësve dhe mësuesve: Inteligjenca Artificiale nuk trajtohet si një teknologji që duhet mbajtur jashtë shkollës, por si një instrument që duhet mësuar të përdoret. /ekofin.al
