Agjencia e Inteligjencës Financiare ka prezantuar Strategjinë Kombëtare kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit 2024–2030, e cila synon të zhvillojë një sistem financiar të sigurt, të qëndrueshëm dhe të papërshkueshëm nga rreziku kriminal, duke përfshirë për herë të parë përdorimin e inteligjencës artificiale (IA) si një mjet qendror në këtë luftë.
“Përdorimi i inteligjencës artificiale synohet të arrihet përmes ngritjes dhe konsolidimit të sistemeve digjitale të menaxhimit dhe gjurmimit të çështjeve; përdorimit të teknologjisë për rritjen e përputhshmërisë së subjekteve me rregullat kundër pastrimit të parave dhe financimi i terrorizmit PP/FT; përdorimit të IA si instrument ndihmës në pikasjen dhe analizimin e të dhënave në luftën ndaj PP/FT; vlerësimit dinamik të rrezikut nëpërmjet përdorimit të mjeteve virtuale dhe teknologjive të reja; përmirësimit të aftësive analitike të agjencive ligjzbatuese përmes mjeteve virtuale, si dhe kapaciteteve teknologjike.”
Për realizimin e këtij objektivi, ndër masat konkrete parashikohet edhe krijimi i sistemeve të automatizuara për menaxhimin dhe gjurmimin e rasteve në Prokurorinë e Përgjithshme dhe SPAK, si dhe nxitja e përdorimit të teknologjisë rregullatore (RegTech) për automatizimin e proceseve të përputhshmërisë me legjislacionin.
Rritja e efektivitetit të sistemit parandalues
Sipas strategjisë, ky objektiv synon adresimin e mangësive të identifikuara nga vlerësimi i Komitetit Moneyval, përmes: vlerësimit gjithëpërfshirës të nevojave për të identifikuar boshllëqet në kapacitete brenda institucioneve kyçe të sistemit parandalues kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (PPP/FT); përmirësimit të kapaciteteve institucionale përmes burimeve njerëzore të përshtatshme në numër dhe cilësi, në përputhje me nivelin e rrezikut; shpërndarjes së tipologjive dhe praktikave për PPP/FT/ASHM ndërmjet organeve të ligjit, inteligjencës, mbikëqyrësve dhe sektorit privat;
Në masë e veccantë ka të bëjë me hartimin e udhëzimeve për OJF-të mbi pajtueshmërinë, raportimin dhe menaxhimin e rrezikut; si dhe promovimin e edukimit financiar, si mjet për informim, forcim bashkëpunimi me sektorin privat dhe ndërgjegjësim të publikut.
Strategjia synon giithashtu përmirësimin e efikasitetit operacional të strukturave ligjzbatuese dhe agjencive të tjera përmes rritjes së aksesit në regjistra shtetërorë për organet ligjzbatuese dhe agjencitë e inteligjencës; shtimit të sekuestrimeve dhe konfiskimeve të aseteve me burim kriminal; si dhe rritjes së kontrollit kufitar për deklarimet e parasë fizike dhe sendeve me vlerë.
Këto masa synojnë forcimin e reagimit institucional ndaj rreziqeve që lidhen me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, duke garantuar një sistem më efektiv, të koordinuar dhe të përgatitur.
Synim afatgjatë: bashkëpunim ndërkombëtar dhe përputhje me standardet globale
Në përputhje me rekomandimet e Moneyval dhe Komisionit Evropian, strategjia nxit zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, përfshirjen e të gjitha institucioneve në vlerësimet ndërkombëtare, si dhe përmirësimin e qëndrueshëm të kuadrit ligjor dhe standardeve të punës./ekofin.al
