Viti 2022, rezulton të ketë qenë i mbarë sa i takon prodhimt të pemëve frutore. Sipas INSTAT-it, në këtë vit është prodhuar pemë frutore 295.428 ton ose 2.86% më shumë se viti 2021.
Qarqet me nivelin më të lartë të prodhimit të pemëve frutore, renditen Korça me 82.947 ton, Elbasani me 41.649 ton dhe Fieri me 36.155 ton.
Grupi i pemëve frutore me farë zë 41,96% të prodhimit, peshën kryesore në këtë grup e zë prodhimi i mollëve, ku vetëm Qarku i Korçës zë 62,97% të prodhimit të mollëve gjithsej në vend.
Në grupin e pemëve frutore me bërthamë, peshën më të madhe e zënë prodhimi i kumbullave me 46,31%, pasuar nga qershitë me 24,99% dhe pjeshkët me 23,05%.
Në vitin 2022, shegët zënë 23,97% të prodhimit në grupin e pemëve frutore subtropikale duke shënuar një rritje prej 45.12%, krahasuar me vitin 2021. Arrat dhe gështenjat zënë 81% të prodhimit në grupin e pemëve frutore arrore.
INSTAT bën të ditur se, prodhimi i arrave është rritur me 18,24%, krahasuar me një vit më parë. Niveli më i lartë i prodhimit në këtë grup është shënuar në qarkun e Dibrës me 2.871 tonë.
Ndërkohë që rritje të ndjeshme shënoi edhe prodhimi i ullinjve. Në vitin 2022, u prodhuan 157.710 tonë ullinj, duke shënuar rritje me 43,16%, krahasuar me një vit më parë, niveli më i lartë i prodhimit të ullirit u arrit në qarkun e Fierit me 43.827 tonë.
Prodhimi i ullirit ne qarkun e Beratit ka shënuar një rritje prej 186,68%. Varietet e ullirit për vaj përfaqësojnë 81,71% të prodhimit gjithsej dhe varietetet e ullirit për tavolinë përfaqësojnë 18,29%.

