Inspektorati i Punës gjatë vitit 2024 ka dhënë 210 vendime përfundimtare me gjobë për shkelje të dispozitave ligjore. Kryesisht gjobat lidhen me shkeljet e Kodit të Punës dhe sigurinë e shëndetit në punë.
Sipas tipologjisë, sanksionet me gjobë përfshijnë në 57% të rasteve shkelje të dispozitave të Kodit të Punës; 18% për shkelje të dispozitave për sigurinë dhe shëndetin në punë; 12% për shkelje të dispozitave të ligjit për inspektimin në punë; 4.4% për shkelje të dispozitave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; 2.6% për shkelje të dispozitave për sigurinë minimale në përdorimin e pajisjeve të punës; 3% për shkelje të sigurisë në kantier; 0.8% shkelje të dispozitave të funksionimit të Agjencive Private të Punësimit.
Shkeljet më të shpeshta lidhen me nenet mbi domosdoshmërinë dhe mënyrën e pagesës, pagën minimale, formën e kontratës së punës, punën në ditë pushimi, përllogaritjen e pagesës dhe masat mbrojtëse për punëmarrësit.
Për sigurinë dhe shëndetin në punë, shkeljet kanë përfshirë detyrimet e punëdhënësve për parandalimin e aksidenteve dhe raportimin e tyre. Në 100% të rasteve, subjektet kanë marrë dijeni për vendimet e inspektimit, duke i shndërruar ato në tituj ekzekutivë.
Në vitin 2024, ishin në proces të ndjekjes së ekzekutimit 100% të gjobave të vendosura. Sipas raportit janë likuiduar 46% e gjobave të vitit 2024, me një vlerë prej 17,370,000 lekë, duke shënuar rritje nga viti 2023, ku likuidimi i gjobave ishte në masën e 41%. Gjithashtu, 45% e gjobave janë likuiduar vullnetarisht nga subjektet me 10% më shumë se një vit më parë.
Po ashtu, është vazhduar edhe me ekzekutimet e gjobave të viteve të shkuara, duke arkëtuar gjatë vitit 2024, 65 gjoba me një vlerë prej 18,392,000 lekë në buxhetin e shtetit. Ndërkohë mesatarja e likuidimit të gjobave ndër vite është 75% e masave dhe vlerës së tyre.
Të ardhurat që gjeneron Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore nëpërmjet vendosjes së sanksioneve mbi subjektet publike dhe jopublike janë të ardhura që derdhen në buxhetin e shtetit./ekofin.al

