CEO i Vodafone Albania, Balázs Révész, në një intervistë eksluzive për ekofin.al flet mbi lidershipin në 5G, infrastrukturën kritike, transformimin cloud dhe teknologjitë që po formësojnë dekadën e ardhshme të rritjes së Shqipërisë.
Për shumë vite Vodafone është perceptuar kryesisht si një operator celular. Sot e shohim Vodafone të përfshirë në komunikimet “mission-critical” shërbime kritike të aeroportit Tiranës së bashku me Airbus. Si po evoluon roli i Vodafone dhe a e shihni tashmë kompaninë më shumë si një ofrues të infrastrukturës teknologjike sesa si një operator tradicional telekomunikacioni?
Shumë njerëz në Shqipëri ende e lidhin Vodafone kryesisht me komunikimet celulare. Edhe pse shërbimet e telekomunikacionit mbetet në thelb të asaj që ne bëjmë, Vodafone sot është një kompani teknologjike.
Në nivel global, Vodafone është ofruesi kryesor në botë i lidhjes IoT, duke lidhur pajisje, automjete dhe asete kritike në industri të ndryshme. Ne jemi partner strategjik teknologjik për administrate shtetërore, ndërmarrje të mëdha dhe operatorë të infrastrukturës kritike në të gjithë Evropën dhe Afrikën. Kapacitetet tona sot shtrihen shumë përtej telekomunikacionit, duke përfshirë cloud, sigurinë kibernetike, inteligjencën artificiale, infrastrukturën digjitale dhe komunikimet mission-critical.
Ky transformim ka nisur prej gati një dekade. Vodafone ka ndërtuar kapacitete të plota në shërbimet cloud, sigurinë kibernetike, zgjidhjet IoT, menaxhimin inteligjent të energjisë dhe transformimin digjital. Përmes partneritetit tonë me Accenture, ne jemi gjithashtu në gjendje të ofrojmë zgjidhje teknologjike komplekse nga fillimi në fund, si një integrator sistemesh.
Në Shqipëri, ne po sjellim fuqinë e plotë të këtyre kapaciteteve globale në tregun lokal. Sot, Vodafone Albania kombinon ekspertizën vendase me aksesin në platformat ndërkombëtare teknologjike të Vodafone, qendrat e operacioneve të sigurisë kibernetike dhe ekipet e specializuara në të gjithë Evropën. Ndikimi është tashmë i dukshëm në Shqipëri. Sot, teknologjia e Vodafone mbështet operacione kritike në sektorë të ndryshëm, nga bankat dhe shërbimet financiare deri te infrastruktura publike. Për shembull, 80% e terminaleve POS në vend operojnë përmes lidhjes IoT të Vodafone, duke treguar se sa thellë është integruar infrastruktura digjitale në aktivitetin ekonomik të përditshëm.
Projekti i lançuar pak ditë më parë me Airbus dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës është një shembull i qartë i këtij evolucioni. Ai demonstron se si roli i Vodafone është zgjeruar nga lidhja e njerëzve drejt mundësimit të infrastrukturës dixhitale nga e cila varen gjithnjë e më shumë ekonomitë moderne.
Aeroportet, rrjetet energjetike, sistemet e transportit dhe shërbimet publike po bëhen gjithnjë e më të varura nga lidhja dixhitale. Çfarë roli besoni se duhet të luaj Vodafone në mbështetjen e infrastrukturës kritike kombëtare të Shqipërisë gjatë dekadës së ardhshme?
Infrastruktura dixhitale është bërë po aq e rëndësishme për zhvillimin ekonomik sa rrugët, portet apo rrjetet energjetike. Çdo biznes, institucion qeveritar dhe shërbim publik mbështetet gjithnjë e më shumë në lidhje të sigurta dhe rezistente.
Sfida sot nuk është thjesht ofrimi i lidhjes, por garantimi që ajo të jetë e sigurt, e besueshme dhe e aftë të mbështesë operacione kritike. Siguria kibernetike, dhe rezistenca e rrjetit janë kërkesa themelore.
Këtu Vodafone mund të luajë një rol të rëndësishëm. Ne kombinojmë infrastrukturën globale, ekspertizën ndërkombëtare dhe investimet lokale për të ofruar rrjete digjitale të sigurta dhe rezistente. Vodafone Albania operon tashmë rrjetin më të madh 5G në vend, me 130 stacione të shtuara që nga viti i kaluar, duke mbuluar mbi 45% të popullsisë shqiptare.
Rrjeti ynë superior njihet në mënyrë të pavarur nga Umlaut si rrjeti më i mirë celular dhe fiks, një arritje të cilën e mbajme me krenari vit pas viti. Kjo krijon bazën mbi të cilën mund të funksionojnë shërbimet kritike të së ardhmes, nga transporti dhe energjia deri te siguria publike dhe qeverisja dixhitale.
Një nga prioritetet kryesore të Shqipërisë duhet të jetë përshpejtimi i shtrirjes së infrastrukturës dixhitale. Megjithëse është bërë progres i konsiderueshëm, proceset e lejeve dhe barrierat rregullatore vazhdojnë të ngadalësojnë vendosjen e rrjeteve, sidomos rrjetin me fibra. Ndërsa infrastruktura dixhitale bëhet gjithnjë e më kritike për konkurrueshmërinë kombëtare, krijimi i një mjedisi më të favorshëm për investime dhe zgjerimin e rrjeteve do të jetë thelbësor.
Vendet po konkurrojnë gjithnjë e më shumë jo vetëm përmes rrugëve dhe aeroporteve, por edhe përmes cilësisë së infrastrukturës së tyre digjitale. Sa e rëndësishme është lidhja e avancuar për tërheqjen e investimeve, turizmit dhe rritjes ekonomike në Shqipëri?
Sot, investitorët i vlerësojnë vendet përmes një perspektive shumë më të gjerë sesa vetëm infrastruktura fizike. Ata analizojnë gatishmërinë dixhtale, standardet e sigurisë kibernetike, kapacitetet cloud dhe përafrimin e kuadrit rregullator me atë evropian. Ndërsa Shqipëria avancon drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kërkesat e përputhshmërisë si NIS2 dhe GDPR do të bëhen gjithnjë e më të rëndësishme. Bizneset kanë nevojë për partnerë që mund t’i ndihmojnë të kalojnë këtë tranzicion me besim.
Bizneset sot kërkojnë partnerë të besueshëm që mund të thjeshtojnë mjedise teknologjike gjithnjë e më komplekse. Ato kanë nevojë për lidhje të sigurta, shërbime cloud, siguri kibernetike dhe mjete dixhitale që funksionojnë pa probleme. Vodafone është në një pozicion unik për të ofruar këtë qasje të integruar.
Në Shqipëri, ne jemi i vetmi Microsoft Cloud Solution Provider i kualifikuar, gjë që na mundëson të ofrojmë shërbime cloud, licenca dhe zgjidhje të menaxhuara të mbështetura nga një prej kompanive më të mëdha teknologjike në botë. Ne kemi mbështetur tashmë disa nga kompanite më të avancuara në vend në projekte komplekse të transformimit cloud, duke ofruar njëkohësisht edhe shërbime co-location përmes infrastrukturës sonë të qendrës së të dhënave Tier III. Së bashku, këto kapacitete u mundësojnë organizatave të modernizojnë sistemet kritike duke ruajtur standardet më të larta të sigurisë, rezistencës dhe vazhdimësisë operacionale.
Ndërsa Shqipëria vazhdon rrugën e saj drejt investimit ne dixhitalizim dhe integrimit evropian, kërkesa për këto zgjidhje do të vazhdojë të rritet.
E rëndësishme është se ambicia jonë shkon përtej ndërmarrjeve të mëdha dhe institucioneve qeveritare. Bizneset e vogla dhe të mesme janë po aq të rëndësishme. Përmes zgjidhjeve si SOHO Digital Plus, ne po i bëjmë mjetet e avancuara dixhitale, mbrojtjen kibernetike dhe shërbimet cloud më të aksesueshme, duke ndihmuar bizneset shqiptare të bëhen më produktive, më konkurruese dhe më të përgatitura për të ardhmen.
Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke
cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.


