Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) në muajin dhjetor 2025 arriti në 120,9, duke shënuar një rritje vjetore prej 2,3% krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, inflacioni vjetor rezulton lehtësisht më i lartë se një vit më parë, kur norma ishte 2,1%, ndërsa ndryshimi mujor i çmimeve për dhjetorin, krahasuar me nëntorin 2025, ishte 0,7%.
Në terma mesatarë vjetorë, rritja e çmimeve të konsumit për gjithë vitin 2025 u stabilizua në nivelin 2,2%, i njëjtë me mesataren e regjistruar edhe në vitin 2024, duke reflektuar një ecuri relativisht të kontrolluar të inflacionit gjatë vitit që u mbyll.
Rritja vjetore e çmimeve në muajin dhjetor u ndikua kryesisht nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, i cili kontribuoi me +0,96 pikë përqindje në inflacionin total. Ky grup u pasua nga “Ushqime dhe pije joalkoolike” me një ndikim prej +0,56 pikë përqindje, duke konfirmuar se kostot bazë të jetesës mbeten faktorët kryesorë që shtyjnë inflacionin në fund të vitit.
Kontribute pozitive në rritjen vjetore dhanë gjithashtu çmimet e “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,16 pikë përqindje, “Hotele, kafene dhe restorante” me +0,15 pikë përqindje, “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,11 pikë përqindje, si dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,10 pikë përqindje. Ndikime më të moderuara u regjistruan nga grupet “Argëtim dhe kulturë”, “Shërbimi arsimor”, “Komunikimi”, ndërsa rritje minimale u shënuan në “Veshje dhe këpucë”, “Shëndeti” dhe “Transporti”.
Krahasuar me dhjetorin 2024, rritja më e lartë vjetore e çmimeve u vërejt në grupin “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 4,8%, pasuar nga “Argëtim dhe kulturë” me 3,6% dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,6%. Rritje mbi mesataren u shënuan edhe te “Pije alkoolike dhe duhan”, “Mobilje dhe pajisje shtëpie”, si dhe te shërbimet arsimore.
Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “Qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 4,4% në baza vjetore, të ndjekura nga “Peshk” dhe “Vajra dhe yndyrna” me nga 3,8%, ndërsa rritje më të moderuara u shënuan te mishi dhe frutat.
Në aspektin mujor, krahasuar me nëntorin 2025, rritja e çmimeve në dhjetor u dominua nga “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,1%, e ndjekur nga “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,9% dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,8%. Këto zhvillime sinjalizojnë një presion sezonal të çmimeve në fundvit, veçanërisht në artikujt ushqimorë dhe shërbimet e lidhura me konsumin.
INSTAT bën me dije se duke filluar nga muaji janar 2026, Indeksi i Çmimeve të Konsumit do të përllogaritet sipas klasifikimit të ri ECOICOP, versioni 2, një ndryshim metodologjik që pritet të përmirësojë krahasueshmërinë dhe strukturën e matjes së inflacionit në vijim./ekofin.al

