Frikërat më të këqija të Federal Reserve për inflacionin mund të jenë duke u bërë realitet, pasi konsumatorët po humbasin besimin te stabiliteti afatgjatë i çmimeve, madje edhe mbështetësit e Donald Trump dyshojnë se ai mund të sjellë lehtësim.
Në të njëjtën ditë kur Kevin Warsh u betua si kreu i ri i Rezervës Federale, anketa e besimit të konsumatorëve e University of Michigan publikoi një tregues shqetësues për pritshmëritë ndaj inflacionit dhe një sinjal alarmi për bankën qendrore amerikane.
Përveç faktit që indeksi i përgjithshëm ra për të tretin muaj radhazi në një nivel rekord të ulët, madje më poshtë se nivelet e krizës së naftës në vitet 1970, pritshmëritë për inflacionin u rritën, ndërsa lufta me Iranin dhe vazhdimi i mbylljes së Ngushticës së Hormuzit mbajnë të larta çmimet e energjisë.
Pritshmëritë e konsumatorëve për 12 muajt e ardhshëm u rritën lehtë në 4.8% këtë muaj, nga 4.7% muajin e kaluar, duke kaluar më tej nivelin 3.4% të regjistruar në shkurt, pak para nisjes së luftës. Por më shqetësuese ishte rritja e pritshmërive afatgjata për inflacionin në 3.9% në maj, nga 3.5% në prill, shumë mbi intervalin 2.8%–3.2% të vitit 2024.
Pritshmëritë afatshkurtra dhe afatgjata janë rikthyer në nivelet e fundit të vitit të kaluar, kur konsumatorët ende po përballeshin me tarifat tregtare të vendosura nga Trump. Por ndryshe nga lufta tregtare, ai nuk mund ta përfundojë në mënyrë të njëanshme luftën me Iranin dhe të ulë çmimet e naftës.
Dhe ndërsa anketat e konsumatorëve zakonisht ndahen fort sipas bindjeve politike, rritja e pritshmërive afatgjata këtë herë u nxit nga të pavarurit dhe republikanët, çka do të thotë se edhe mbështetësit e vetë Trump dyshojnë se ai mund ta ulë inflacionin shpejt.
Madje, pritshmëritë afatgjata të republikanëve për inflacionin tani janë më shumë se dyfishuar krahasuar me shkurtin 2025, menjëherë pasi Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë.
“Çështja kritike është se konsumatorët duket se shqetësohen që inflacioni do të rritet dhe do të përhapet përtej çmimeve të karburantit, edhe në afat të gjatë,” tha Joanne Hsu në raportin e Universitetit të Miçiganit.
Një ndryshim i tillë në perceptim mund të ushqejë më shumë inflacion, sidomos nëse punëtorët kërkojnë rritje më të larta pagash për të kompensuar pritshmëritë për çmime më të larta.
Nga këndvështrimi i bankierëve qendrorë, kjo ngre frikën për një skenar të rëndë, ku inflacioni vazhdimisht i lartë bën që konsumatorët të humbasin besimin se ai do të ulet ndonjëherë.
Rezerva Federale ka argumentuar shpesh se pritshmëritë afatgjata për inflacionin mbeteshin të qëndrueshme, duke sugjeruar se nuk kishte nevojë për rritje të normave të interesit. Por tani perspektiva po ndryshon.
Vetëm disa orë para publikimit të anketës së fundit të Universitetit të Miçiganit, pikërisht për këtë paralajmëroi edhe guvernatori i Fed-it, Chris Waller, gjatë një fjalimi në Gjermani.
Pasi vitin e kaluar kërkoi ulje më agresive të normave të interesit për shkak të dobësimit të tregut të punës, ai tani ka ndryshuar ndjeshëm fokusin, duke thënë se është më i shqetësuar për inflacionin sesa për tregun e punës, i cili po jep shenja stabilizimi.
Ndërsa Fed zakonisht “i sheh përtej” goditjeve të përkohshme të çmimeve, duke mos reaguar menjëherë ndaj rritjeve afatshkurtra, Waller shpjegoi se një seri goditjesh mund të ndryshojë psikologjinë e konsumatorëve.
“Nëse njerëzit nuk e njohin procesin real që gjeneron inflacionin dhe shohin një seri goditjesh pozitive të çmimeve, ata mund të arrijnë në përfundimin se goditja e ardhshme ka më shumë gjasa të jetë pozitive sesa negative,” tha ai. “Kjo mund t’i çojë ata të rrisin pritshmëritë për inflacionin, edhe nëse besojnë se goditjet e fundit janë të përkohshme.”
Sot, konsumatorët po përballen me goditjen e çmimeve më të larta të naftës, pasi vitin e kaluar panë çmimet të rriteshin për shkak të tarifave të Trump.
Administrata amerikane u tërhoq nga disa prej tarifave më të ashpra dhe Gjykata e Lartë e SHBA-së rrëzoi tarifat globale të administratës. Megjithatë, Trump tashmë ka nisur të përgatisë një paketë të re tarifash për të zëvendësuar ato që u shpallën antikushtetuese.
Waller theksoi se Fed ishte vetëm një çerek pikë përqindjeje larg objektivit prej 2% për inflacionin në prillin e kaluar, pak para se Trump të vendoste tarifat.
Megjithatë, Fed ende nuk ka arritur objektivin e saj të inflacionit që nga pandemia, dhe fakti që konsumatorët po përballen prej vitesh me çmime më të larta ka ndikuar gjithashtu në krijimin e perceptimit se epoka e inflacionit të ulët ka përfunduar.
“Nëse besoj se pritshmëritë për inflacionin po dalin jashtë kontrollit, nuk do të hezitoja të mbështes një rritje të intervalit të synuar për normën bazë të interesit,” premtoi Waller. “Por në këtë pikë, një veprim i tillë do të ishte i parakohshëm. Tani është koha të ulemi dhe të shohim si do të zhvillohet konflikti dhe të dhënat ekonomike.”/Përshtati nga Fortune, ekofin.al
