Rritja e detyrimeve të papaguara nga individët përmes Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) po kthehet në një fenomen gjithnjë e më të dukshëm në sistemin fiskal shqiptar, duke reflektuar jo vetëm zgjerimin e bazës së tatueshme, por edhe vështirësitë reale në përmbushjen e detyrimeve nga një kategori që deri pak vite më parë ishte jashtë radarit të administratës.
Të dhënat më të fundit të analizës së kryer nga Administrata Tatimore për vitin 2023 tregojnë se 911 individë janë identifikuar si shmangës të detyrimeve, me një vlerë totale detyrimi të papaguar prej rreth 36.6 milionë lekësh. Pesha kryesore bie mbi Tiranën, me mbi 510 individë dhe më shumë se 21.5 milionë lekë detyrime të papaguara, duke konfirmuar përqendrimin e të ardhurave dhe njëkohësisht të riskut fiskal në kryeqytet.
Ky zhvillim lidhet drejtpërdrejt me transformimin që pësoi sistemi i deklarimit individual pas vitit 2019, kur për herë të parë u përfshinë në mënyrë sistematike të ardhurat nga dypunësimi. Kjo reformë e zgjeroi ndjeshëm bazën e individëve të detyruar për të deklaruar, por në të njëjtën kohë krijoi një kategori të re tatimpaguesish me njohuri të kufizuara fiskale dhe me një kulturë të ulët deklarimi.
Në këtë kontekst, rritja e borxhit nga DIVA nuk duhet parë thjesht si shmangie e qëllimshme, por edhe si tregues i një tranzicioni fiskal. Shumë individë, sidomos të punësuar në më shumë se një burim të ardhurash, përballen me diferenca tatimore në fund të vitit, të cilat shpesh nuk janë të parashikuara gjatë vitit dhe për rrjedhojë mbeten të papaguara.
Paralelisht, pesha e DIVA në stokun total të borxhit tatimor mbetet ende relativisht e ulët (rreth 0.5% ose 919 milionë lekë), por ritmi i rritjes është dukshëm më i shpejtë krahasuar me kategori të tjera tradicionale si Tatim Fitimi apo TVSH. Kjo sugjeron se administrata po hyn në një fazë të re, ku fokusi nuk është më vetëm te bizneset, por gjithnjë e më shumë te individët.
Nëse kjo prirje vijon, administrata tatimore do të duhet të balancojë më mirë kontrollin me edukimin fiskal. Instrumente si “Tax Test” apo verifikimet automatike janë hapa në drejtimin e duhur, por pa një rritje të ndërgjegjësimit dhe thjeshtim të procedurave, rreziku është që borxhi nga individët të vijojë të akumulohet. Sipas shifrave, individët paguan rreth 22 milionë euro DIVA në vitin 2025, ndërsa dita e djeshme ishte afati i fundit për deklarimin e DIVA, ku baza e deklaruesve u zgjerua më tej, pasi u përfshinë për herë të parë të gjithë personat me të ardhura vjetore mbi 1.2 milionë lekë. /ekofin.al
