Këngëtari italian Gianni Morandi, një nga emrat më të njohur të muzikës së viteve ’60, ’70, ’80 dhe ’90, prej tetë ditësh po pushon në jug të Shqipërisë, konkretisht në Bashkinë e Himarës.
Morandi mbërriti fillimisht në Tiranë, ku qëndroi një ditë dhe më pas, i sugjeruar edhe nga miqtë e tij, shkoi në Palasë ku kaloi dy ditë. Më tej ai udhëtoi drejt Himarës dhe Dhërmiut, ku pati edhe një takim me kryetarin e Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo. Ky i fundit shprehu kënaqësinë për takimin me artistin e njohur italian.
Vetë Gianni Morandi ka treguar se vizita e tij në Shqipëri erdhi pas sugjerimeve të miqve, të cilët i kishin folur për bukuritë e jugut të vendit.
“Italinë dhe Shqipërinë i lidhin miqësi të forta, sikurse ato të artit dhe muzikore. Shqiptarët janë shumë të apasionuar pas muzikës dhe kanë dëgjuar shumë këngë italiane në vitet 60-80. Shumë miq të mi italianë vijnë me pushime këtu. Një mik i imi inxhinier nga Bolonja më tha: Shko me pushime në Shqipëri, sepse është vend fantastik! Këtu ku qëndrojmë është shumë bukur, kemi malin dhe detin, jemi përballë njëri-tjetrit. E dëgjova dhe erdha, bashkëshortja ime është shumë e lumtur. Besoj se do rikthehem edhe herë të tjera, siç do e bëjnë edhe shumë italianë”, u shpreh këngëtari Morandi.
Ndërkohë të shtunën, ai pushoi në Sarandë, ndërsa sot pritet të përfundojë pushimet dhe të largohet nga Shqipëria.

