Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur sot se, në tremujorin e parë 2023, totali i shkallës së punësimit arriti 67.1%, duke shënuar rritje me 4.4%, krahasuar me një vit më parë.
Sipas Ibrahimajt, në tremujorin e parë 2023, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 10.9 %. Numri i të papunëve gjithsej u ul me 0.5 % krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022.
Ndërkohë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 75.7 %.
“Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 3.7 pikë përqindje më e lartë”, u shpreh Ibrahimaj.
Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 69.5 %, ndërsa për burrat ky tregues është 82.2 %.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për gratë është rritur me 5 pikë përqindje, ndërsa për burrat është rritur 2.4 pikë përqindje.