Nga muaji dhjetor do të rinisin tryezat e konsultimit me bizneset për të identifikuar dhe adresuar pengesat administrative që shoqërojnë aktivitetin e tyre, nga marrja e lejeve dhe licencave deri te autorizimet dhe shërbimet publike. Paralelisht, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit po përgatit një program të posaçëm për të mbështetur ndërmarrjet shqiptare në përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian dhe përgatitjen për të operuar në tregun e përbashkët europian.
Nismat u prezantuan nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë mbledhjes së radhës së Këshillit të Investimeve, ku u diskutua mbi sfidat e sipërmarrjeve në procesin e integrimit europian, përmirësimin e klimës së investimeve dhe nevojën për lehtësimin e procedurave administrative.
Në mbledhje u prezantua analiza e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve dhe rekomandimet për adresimin e vështirësive që hasin bizneset në përshtatjen me kërkesat e reja europiane. Ministrja Ibrahimaj theksoi se përafrimi me legjislacionin e BE-së nuk përfundon me miratimin e akteve ligjore, por kërkon edhe përgatitjen konkrete të ndërmarrjeve për zbatimin e standardeve që lidhen me prodhimin, ofrimin e shërbimeve dhe konkurrueshmërinë.
Në këtë kuadër, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ka nisur punën për hartimin e një programi që do të ndihmojë bizneset të identifikojnë dhe plotësojnë kërkesat e nevojshme për aksesin në tregun europian.
Programi do të zbatohet në disa faza. Fillimisht, ndërmarrjet do të informohen mbi standardet horizontale, që zbatohen në të gjithë sektorët e ekonomisë, dhe ato vertikale, të cilat lidhen me aktivitetet specifike. Më pas, përmes mbledhjes së informacionit drejtpërdrejt pranë bizneseve, do të vlerësohet niveli i tyre i përgatitjes dhe do të identifikohen nevojat për investime.
Mbështetja pritet të orientohet veçanërisht drejt investimeve në teknologji, pajisje, ambiente dhe certifikime, të nevojshme për përmbushjen e standardeve evropiane. Sipas ministres, mbështetja për certifikimin dhe modernizimin e ndërmarrjeve është përfshirë edhe në programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, ndërsa po shqyrtohen instrumente të tjera financiare, përfshirë mundësinë e granteve të dedikuara.
Një tjetër drejtim i diskutimit ishte thjeshtimi i procedurave administrative dhe reduktimi i barrierave që ndikojnë në aktivitetin e sipërmarrjeve. Për këtë qëllim, në muajin dhjetor do të rinisin tryezat e konsultimit me sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Në këto takime do të shqyrtohen procedurat për pajisjen me leje, licenca, autorizime dhe marrjen e shërbimeve të tjera publike. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet kostove, kohës dhe pengesave që bizneset hasin gjatë këtyre proceseve, me synimin për të identifikuar problematikat dhe për të hartuar zgjidhje konkrete.
Ministrja Ibrahimaj ftoi përfaqësuesit e komunitetit të biznesit dhe shoqatat të angazhohen në këtë proces konsultimi, duke theksuar rëndësinë e kontributit të tyre në evidentimin e problematikave që kërkojnë ndërhyrje.
Në Këshillin e Investimeve u diskutua gjithashtu forcimi i sistemit të klasifikimit, monitorimit dhe inspektimit, përmirësimi i standardeve në sektorin e turizmit dhe garantimi i zbatimit të barabartë të kërkesave ligjore për të gjitha ndërmarrjet.
Në fokus të mbledhjes ishte edhe projektligji i ri “Për investimet në Republikën e Shqipërisë”, i cili ndodhet në proces konsultimi publik. Drafti synon krijimin e një kuadri ligjor në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, duke reflektuar rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë dhe sugjerimet e komunitetit të biznesit të dhëna ndër vite.
Kuadri i propozuar parashikon mekanizma për mbrojtjen e investimeve, shqyrtimin e investimeve të huaja direkte dhe masa mbështetëse për investitorët vendas dhe të huaj. /ekofin.al
