Shqipëria synon të tërheqë më shumë investime të huaja që sjellin teknologji, inovacion dhe vende pune cilësore, duke kaluar gradualisht drejt një modeli ekonomik të mbështetur te produktiviteti dhe sektorët me vlerë të shtuar. Ky ishte një nga mesazhet kryesore të ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë pjesëmarrjes në Forumin e 23-të Ekonomik të Vjenës, “Vienna Future Dialogue 2026”.
Në panelin “Common Vision for a Longstanding Economic Cooperation”, Ibrahimaj prezantoi zhvillimet e ekonomisë shqiptare, perspektivën e integrimit evropian dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët ndërkombëtarë, me fokus të veçantë Austrinë.
Ministrja theksoi se ekonomia shqiptare regjistroi një rritje prej rreth 3,8% gjatë vitit 2025, ndërsa investimet e huaja direkte arritën në rreth 1,6 miliardë euro. Megjithatë, sipas saj, sfida kryesore për vitet në vijim mbetet transformimi i modelit ekonomik, duke rritur produktivitetin, investimet në kapitalin njerëzor dhe zhvillimin e sektorëve që krijojnë më shumë vlerë në ekonomi.
Në këtë drejtim, Ibrahimaj e konsideroi integrimin evropian si një mundësi për modernizimin e ekonomisë shqiptare dhe forcimin e konkurrueshmërisë së sipërmarrjeve vendase.
Ajo bëri të ditur se Shqipëria ka hapur të 33 kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian dhe ka mbyllur përkohësisht katër prej tyre, përfshirë Kapitullin 20 për Politikën e Ndërmarrjeve dhe Industrinë. Sipas ministres, objektivi mbetet përmbyllja e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027.
Ibrahimaj nënvizoi se integrimi nuk duhet parë vetëm si një proces përafrimi të legjislacionit me standardet evropiane, por edhe si një proces përgatitor për bizneset shqiptare, të cilat duhet të jenë të afta të konkurrojnë në Tregun e Përbashkët Evropian.
“Kjo kërkon përmirësimin e klimës së investimeve, siguri juridike, thjeshtim të procedurave administrative dhe mbështetje për kompanitë që synojnë të përmbushin standardet evropiane. Anëtarësimi do t’u krijojë bizneseve shqiptare mundësi për të hyrë në një treg më të madh, për të krijuar partneritete të reja dhe për t’u përfshirë në zinxhirët evropianë të prodhimit”, u shpreh Ibrahimaj.
Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar në forum ishte forcimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal. Ministrja vlerësoi se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përshpejtojnë heqjen e pengesave tregtare, të përmirësojnë bashkëpunimin doganor dhe të lehtësojnë qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve.
Sipas saj, marrëveshja CEFTA, Tregu i Përbashkët Rajonal dhe Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian kanë krijuar instrumentet e nevojshme për integrimin ekonomik të rajonit, por rezultatet konkrete varen nga shpejtësia e zbatimit të angazhimeve.
“Përmes CEFTA-s, Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Planit të Rritjes të BE-së janë krijuar mekanizma për të ulur pengesat që hasin bizneset, por zbatimi i angazhimeve duhet të ecë më shpejt, në mënyrë që rezultatet të përkthehen në procedura më të shkurtra, kosto më të ulëta dhe më shumë siguri për sipërmarrjet”, deklaroi ministrja.
Ibrahimaj theksoi se bashkëpunimi ekonomik mes vendeve të rajonit duhet të shtrihet përtej tregtisë, duke përfshirë investime të përbashkëta, zhvillim industrial dhe integrim më të madh të kompanive në zinxhirët evropianë të prodhimit.
Energjia, industria prodhuese, teknologjia dhe industritë e qëndrueshme u identifikuan si disa prej sektorëve me potencial për zgjerimin e partneriteteve ekonomike dhe tërheqjen e kapitalit të huaj.
Në këtë kontekst, ministrja prezantoi edhe projektligjin e ri “Për investimet në Republikën e Shqipërisë”, i cili ndodhet aktualisht në konsultim publik.
Sipas Ibrahimajt, nisma synon të krijojë një mjedis më të favorshëm për investitorët vendas dhe të huaj, përmes thjeshtimit të procedurave administrative, forcimit të sigurisë juridike dhe rritjes së transparencës e parashikueshmërisë së kuadrit rregullator.
“Nisma synon të thjeshtojë procedurat administrative, të forcojë sigurinë juridike dhe të krijojë një kuadër më transparent e të parashikueshëm për investitorët vendas dhe të huaj. Shqipëria synon të tërheqë investime që sjellin kapital, teknologji dhe njohuri, krijojnë vende pune cilësore dhe ndihmojnë bizneset shqiptare të rrisin konkurrueshmërinë e tyre”, deklaroi Ibrahimaj.
Ministrja u ndal gjithashtu te politikat mbështetëse për inovacionin, duke përmendur incentivat fiskale për investimet në teknologji, kërkim dhe zhvillim, si dhe programet publike të financimit të startup-eve.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe zgjerimi i marrëdhënieve ekonomike me Austrinë, si një partner me potencial për investime dhe bashkëpunim në sektorë strategjikë. Ibrahimaj shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të ndërtuar partneritete afatgjata me kompanitë austriake dhe investitorët ndërkombëtarë, veçanërisht në teknologji, inovacion dhe zhvillim industrial.
Forumi i 23-të Ekonomik i Vjenës u zhvillua nën patronazhin e Kancelarit Federal të Austrisë, Christian Stocker, me temën “Common Vision for a Common Future – Strategic Challenges in Focus”, duke mbledhur përfaqësues të qeverive, institucioneve ndërkombëtare dhe drejtues të kompanive për të diskutuar mbi sfidat ekonomike dhe mundësitë e bashkëpunimit në Evropë dhe rajon.
