Këshilli i Ministrave miratoi sot në parim marrëveshjen për sigurimet shoqërore me Republikën e Sllovenisë.
Në një prononcim për medie pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj nënvizoi sot rëndësinë e këtij projektvendimi.
“Kjo e çon numrin e marrëveshjeve të nënshkruara nga Republika e Shqipërisë në 17, ku bashkë me marrëveshjen që po firmos me Slloveninë janë 11 marrëveshje të cilat janë firmosur me vendet e Bashkimit Europian”, informoi Ibrahimaj.
Ministrja kujtoi se kjo është një politikë e cila prej disa vitesh tashmë ka filluar dhe është intensifikuar nga ana e qeverisë shqiptare.
“Kjo është një politikë thelbësore në mbrojtjen e të drejtave të punës dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe pagesave që çdo individ mund të marrë në të ardhmen pasi ka kryer disa vite pune në Republikën e Shqipërisë dhe disa vite pune në një vend tjetër”, shtoi ajo.
Ibrahimaj theksoi se ky ka qenë një problem i mbartur në vite.
“Gjatë vitit të kaluar kemi firmosur dhe ratifikuar marrëveshjen me Italinë që është më e rëndësishmja pasi numri i shqiptarëve që punojnë dhe jetojnë në Itali është shumë i lartë”, tha Ibrahimaj.
Ministrja theksoi se deri tani janë 20 mijë shqiptarë që kanë përfituar nga marrëveshjet që janë firmosur për njohjen e viteve të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe po vazhdohet me intensitet të lartë.
Sipas saj janë katër marrëveshje të tjera që janë duke u negociuar dhe shumë shpejt do të paraqiten në Këshillin e Ministrave për miratim./ATSH

