Udhëzimi i ri i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, publikuar në Fletoren Zyrtare vendos një regjim të detajuar për mënyrën e përpunimit të të dhënave nga autoritetet kompetente shtetërore.
Ky shfuqizon aktin e mëparshëm të vitit 2012, “Mbi përcaktimin e kohës së mbajtjes së të dhënave
personale që përpunohen në sistemet elektronike, nga organet e policisë së shtetit për qëllime parandalimi, hetimi, zbulimi dhe ndjekje të veprave penale”, dhe modernizon mënyrën e ruajtjes dhe shkëmbimit të informacionit personal nga institucionet ligjzbatuese, duke përcaktuar detyrime të qarta për sigurinë teknologjike, kontrollin dhe transparencën.
Kategoritë e të dhënave të ndjeshme që përpunohen përfshijnë jo vetëm të dhënat identifikuese, por edhe ato biometrike, gjenetike, orientimin seksual, bindjet fetare apo politike, si dhe historikun penal të individëve. Për çdo përpunim që bazohet në vlerësim personal, parashikohet detyrimisht mbajtja e një regjistri të posaçëm me arsyetim ligjor.
Ndërveprimi ndërinstitucional përmes sistemeve digjitale të bazave të të dhënave shtetërore duhet të kryhet në mënyrë të dokumentuar dhe konfidenciale, vetëm nga personel i autorizuar. Nëse të dhënat rezultojnë të pasakta apo të papërshtatshme për qëllimin, ato duhet të korrigjohen ose fshihen automatikisht nga të gjitha sistemet ku janë shpërndarë.
Po ashtu, përcaktohet se në rastet kur informacioni nuk mund t’i jepet subjektit për arsye sigurie kombëtare apo hetimore, autoritetet janë të detyruara të justifikojnë me dokumentacion ligjor vendimin për vonesë apo refuzim të aksesit.
Masat e reja të sigurisë parashikojnë vlerësim të ndikimit në privatësi në çdo aktivitet përpunimi që mbart rrezik të lartë për individët. Në rast përdorimi të teknologjive të reja (p.sh., sistemet biometrike), mbrojtja e të dhënave duhet të jetë e integruar që në fazën e projektimit dhe zbatimit të sistemit. Udhëzimi detyron gjithashtu autoritetet të përditësojnë infrastrukturën IT, të regjistrojnë çdo veprim mbi të dhënat personale dhe të informojnë Komisionerin dhe qytetarin në rast shkeljeje apo cenimi të privatësisë. Veçanërisht për të dhënat biometrike dhe gjenetike, kërkohen kontrolle të dyfishta dhe sisteme të dedikuara, duke vendosur një standard të lartë mbrojtjeje për informacionin më sensitiv.
Udhëzimi përcakton gjithashtu se autoritetet kompetente krijojnë dhe përdorin mekanizma apo kanale të sigurta dhe konfidenciale, që garantojnë raportimin e shkeljeve të ligjit. Për shembull, nëse një punonjës policie konstaton se informacionet mbi të ndaluarit ruhen në platforma jo të sigurta ose shpërndahen në WhatsApp, në grupe, në mënyrë të paautorizuar, ai mund të raportojë këtë shkelje si përpunim i paligjshëm i të dhënave personale, përmes një mekanizmi të brendshëm, si kutia fizike e raportimit, portali online ose një email-i të dedikuar.
Sa i përket nevojës për vazhdimin e ruajtjes së të dhënave personale, duhet të merren parasysh disa kritere si mosha e subjektit të të dhënave, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë të miturve dhe personave të moshuar; dënimet e shlyera, në rastin kur një person ka përfunduar dënimin e tij/saj me heqje lirie dhe ndërkohë periudha e parë e rishikimit ka kaluar, të dhënat e tij/saj personale duhet të fshihen, përveç rasteve kur ka prova se të dhënat janë të nevojshme për hetime të tjera në vazhdim.
Po kështu edhe në rastin e të dhënave sensitive, ato duhet të fshihen, përveç rasteve kur është e domosdoshme që ato të ruhen për shkak të hetimeve të tjera në vazhdim, përfundon Udhëzimi. /ekofin.al

