Hyn në fuqi sot rregullorja “Për administrimin e rrezikut në institucionet financiare jobanka”, e cila synon kufizimin e kreditimit nga institucionet financiare jobanka.
Rregullorja u miratua në tetor 2024 nga Banka e Shqipërisë, edhe pse hasi në kundërshti té forta nga tregu i mikrofinancës.
Bazuar në disa nga ndryshimet kryesore që pësoi rregullorja, nuk do të lejohet dhënia e kredive për personat nën 18 vjeç, akordimi i tyre për personat me aftësi të kufizuara, nuk do të lidhen kontrata kredie konsumatore gjatë natës, pra nga ora 22:00 deri në 7:00 dhe gjithashtu nuk mund të akordohen më shumë sesa 2 kredi në të njëjtën kohë për të njëjtin kredimarrës.
Gjithashtu për të kufizuar mundësitë e institucioneve financiare jobanka për të dhënë kredi është vendosur raporti i shërbimit të borxhit mbi të ardhurat. Kompanitë nuk mund të japin kredi tek një kredimarrës, këstet mujore të të cilit janë më të mëdha se 60% e të ardhurave të tij mujore.
Në rregullore është përfshirë edhe një kërkesë tjetër, te neni 20/3 i blerjes së kredive me probleme, ku ata që kanë kredi me probleme nuk lejohet që të marrin kredi për të shlyer detyrimet që kanë.
Rregullorja u miratua nga Banka e Shqipërisë si një nga masat, pas skandalit të mikrokredive, ndërkohë që pritet kufizim i mëtejshëm i normave të interesit për kreditë konsumatore.
Shoqata e mikrofinancës i ka vlerësuar rregullat e reja nga Banka e Shqipërisë me impakt në frenimin e kreditimit. Sipas tyre, rregullatori po ndërhyn në treg për të mbrojtur konsumatorin, por problem i vërtetë janë kompanitë borxh-mbledhëse dhe jo ato të mikrofinancës.
Ato janë shprehur se tashmë do të presin të shohin në praktikë se cili do të jetë impakti i vërtetë i këtyre masave, pasi mungon një analizë. /ekofin.al